FIT-i proteston nesër para Qeverisë, i bashkohet edhe Sindikata e Policisë

Njësiti special intervenues i njohur si FIT nesër do të mbajnë protestë para objektit të Qeverisë, si shenjë pakënaqësie për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë.

Por, kësaj here protestës do t’i bashkohet edhe Këshilli drejtues i Sindikatës së Policisë.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i kësaj Sindikate, Imer Zeqiri.

“Po, do të jemi nga ora 12:00. Edhe Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë i bashkohet protestës. Nesër i merrni vesh kërkesat tona”, tha shkurt ai.

Rikujtojmë se protesta e FIT u mbajt me 1 nëntor para objektit të Qeverisë.

“Ftoj kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës të marrin hapa. Ju e dini rreziqet që bartin detyrat tona, mos luani me dinjitetin tonë, mos luani me ndjenjat e familjeve tona, ne e kemi dëshmuar vetën tonë. Propozimin e dhënë për shtesat e sigurisë ta rishikoni edhe njëherë“, kështu ishte deklaruar para mediave njëri pjesëtar i FIT.