Inspektorati i Tregut i qon në gjyq ndaj tre operatorëve ekonomik në Ferizaj, mashtruan konsumatorët me peshë

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut nga MINT në vazhdën e aktiviteteve inspektuese tek operatorët ekonomik ka realizuar inspektime tek tre operatorë ekonomik në Ferizaj për verifikimin e peshës së disa prej artikujve esencial.

Gjatë këtyre inspektimeve, Inspektorët e Tregut në bashkëpunim me zyrtarët e Metrologjisë, pas marrjes së mostrave, kanë konstatuar se disa prej produkteve të miellit dhe sheqerit nuk e kanë peshën e deklaruar sikurse në ambalazh.

Si rrjedhojë, ndaj subjekteve ekonomike janë inicuar procedurat gjyqësore sipas ligjit në fuqi dhe të njëjtave u është kërkuar që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’i eleminuar këto parregullësi.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për çdo ditë po vazhdon aksionet në terren për mbikëqyrjen e tregut dhe luftimin e informalitetit, duke siguruar garantimin e ligjshmërisë në tregtimin e mallrave në tregun e Kosovës.