Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, derisa është deklaruar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë se po flitet për një asociacion që në kompetenca është paralel me Republikën e Kosovës.
Sipas tij, këtu është bërë kapërcimi më i madh nga ana e kryeministrit Albin Kurti.
“Tash e një muaj krejt debati për Asociacionin është i bazuar në një draft që nuk është mohuar nga askush, as nga zyrtarët evropianë, as nga Qeveria, as nga Presidenca, por duhet të jetë si drafti më i përafërt me atë se çfarë ka sot kryeministri Kurti në tavolinë. Fatkeqësisht kjo është një strukturë paralele shtetërore në institucionet e Republikës së Kosovës tashmë ekzistuese. Asociacionet kudo në botë nuk kanë karakter vendimmarrës, janë këshillues. Këtu nuk po flitet më për asociacion, në kompetenca është paralel me Republikën e Kosovës. Këtu është kapërcimi i madh që e ka bërë Albin Kurti”, ka thënë ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Tahiri ka njoftuar se ditën e enjte do të ketë seancë për Raportin e Progresit dhe për leximin e dytë të projektligjit për Fondin Sovran.
“Ditën e enjte do ta kemi seancën për Raportin e Progresit, që ka qenë propozim i Partisë Demokratike të Kosovës të diskutohet javën e kaluar, por për shkak të stërzgjatjes së seancës nuk kemi arritur, prandaj të enjten do të fillojmë me të gjeturat që raporti i nxjerrë për vitin e tretë të qeverisjes Kurti. Ditën e enjte po ashtu në kuadër të seancës së re do ta kemi edhe leximin e dytë të projektligjit për Fondin Sovran. Ne si Grup Parlamentar e kemi kundërshtuar këtë projektligj sepse konsiderojmë që në kuadër të strukturës ekonomike të vendit tonë është e pamundur të vendoset një strukturë e tillë që konsiderojmë se është vetëm një strukturë burokratike që lidhet me çështjet ekonomike. Konsiderojmë që është strukturë ekonomike shumë e padobishme. Kjo strukturë nuk mund të akomodohet dhe jam i bindur që Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë”, është shprehur ai.
Ndërsa, shefi i GP-së së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka akuzuar kryeministrin Kurti se ka blerë kohë në të gjitha proceset dhe nuk ka krijuar asnjë zgjidhje.
“Ajo që duhet të themi sot është se gjendja e veteranëve të UÇK-së, të familjeve dhe të dëshmorëve, martirëve, është një gjendje shumë e rëndë, invalidët e luftës janë në një gjendje shumë të rëndë dhe nuk ka asnjë veprim nga kjo Qeveri. Kjo kategori në këto rrethana ka mbetur më së keqi në raport me zhvillimet politike dhe buxhetore. Çështja e dytë lidhet me Fondin Sovran, një ligj qe e dëmton në esencë funksionimin e çfarëdo logjike ekonomike në vend. Të enjten që po vjen diskutohet Raporti i Progresit e disa ligje. Javën e ardhshme nuk do të ketë seancë, javën pas saj do të jetë për buxhetin dhe shkoi viti. Z. Kurti në të gjitha proceset ka blerë kohë, nuk ka krijuar asnjë zgjidhje. Po përfundon viti pa i adresuar problemet. E pashpjegueshme krejt komoditeti që është në Qeveri. Gjendja ekonomike, sociale në Kosovë nuk ka qenë më e vështirë dhe më e rëndë në 10 vjetët e fundit”, ka thënë ai.