Ditë më parë është raportuar se jo më pak se 7 mijë e 500 euro është paga me të cilën Gani Jakupi paguhet nga Qeveria e Kosovës për pozitën këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dikaster ky i cili udhëhiqet nga Donika Gërvalla.
Mirëpo ministrja e MPJ-së, Gërvalla e ftuar sot për të raportuar në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka thënë se Jakupi nuk është këshilltar i saj, por pjesë e një projekti njëvjeçar.
Sipas saj, paga mujore të cilën është duke e marrë Jakupi është shumë modeste, transmeton Telegrafi.
“Jam shumë krenare që në këtë shumë modeste e cila nuk është pagë mujore, por që i përfshin shpenzimet e projektit njëvjeçar, në Afrikë e në shtete tjera…me shumë kënaqësi vij e ju tregoj këtu për këto kontrata. Në vend që të hidhet baltë në imazhin e personaliteteve të rëndësishme, ky vend do të duhej t’i falënderonte ata për përkushtimin. Nuk ka asnjë dilemë dhe asnjë mister rreth kontratës që është lidhur në misionin tonë.
Ai nuk është këshilltar i imi, por pjesë e projektit. Për të më sulmuar mua, po përdorni emrat e personaliteteve…nevojitet një përkushtim si opozitë, jo për të hedhur baltë, por për tu marr me tema serioze. Ju lus për më shumë dinjitet dhe kujdes kur flisni për personalitete të shquara të kulturës, përmes mediave familjare dhe personale”, tha Gërvalla.