Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar ekipin e tij qeverisës në 2/3 e mandatit në krye të shtetit. Ai megjithatë ka thënë se ende ka punë për t’u bërë. Në fjalimin para kabinetit qeveritar të mërkurën, Kurti ka thënë se “datat si këto shërbejnë si moment kujtimi çfarë kemi bërë si ekip, por edhe për të kujtuar se koha për t’i përmbushur zotimet e respektuar pritjet e qytetarëve sa vjen e pakohet”.
Duke thënë se “çdo ditë na përkujtohet se çka s’është bërë e çka ka mbetur të bëhet”, Kurti zgjodhi t’i përmendë ato që i ka vlerësuar si punë të mira të kryera.
Ka nisur me përballjen me pandeminë, duke lavdëruar qeverisjen për vaksinimin. Ai ka përmendur si punë të kryer edhe “shpërndarjen e të hyrave tatimore te qytetarët përballë inflacionit dhe krizën energjetike, por jo vetëm”.
Ai ka thënë se Qeveria e tij ka mbështetur studentët, familjet në nevojë, pensionistët e zyrtarët publikë. Ka përmendur edhe punësimin e të rinjve e subvencionimin e rrogave. Kurti ka thënë se nënat lenona për herë të parë marrin mjete, ndërsa ka shtuar se mbi 387 mijë fëmijë marrin shtesa. Është lavdëruar për rritjen e buxhetit për ushtrinë, përkrahjen për bujqit e organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Kurti ka folur edhe për veriun. Ka thënë se janë mbyllur shumë rrugë ilegale që përdoreshin për kontrabandë. “Sot në katër komunat tona në veri, ka më shumë qetësi e siguri për qytetarët tanë”, ka shtuar ai duke thënë se janë bërë mbi 2100 konvertime të targave ilegale në RKS dhe se është rritur interesimi i serbëve për pasaporta të Kosovës.
Qeveria ka miratuar Projektligjin për gjendjen civile, atë për letërnjoftimin dhe atë për rininë.
Sa i përket projektligjit për letërnjoftimin, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se risi është që shtetasi i Kosovës mund të pajiset me letërnjoftim që nga lindja deri në moshën 16-vjeçare, por pa qenë i detyruar.