Tre pacientë me koronavirus në gjendje të rëndë

Tetë pacientë të prekur me koronavirus, janë duke u trajtuar aktualisht në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK). Për gjendjen e tyre ka dhënë detaje zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Ai në një postimi në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, ka treguar se një pacient është me gjendje të rënduar dhe se po trajtohet në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intenstive, derisa dy pacientë janë në Mjekim Intensiv. 

“1 pacientë është me gjendje të rënduar dhe trajtohet në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive si dhe 2 pacientë janë në Repartin e Mjekimit Intensiv duke u trajtuar (njëri në gjendje të rëndë me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive si dhe tjetri në gjendje kritike dhe në ventilim mekanik)”, ka shkruar Hoti.

Sot nga kjo klinikë do të lirohet një pacient, i cili ka rezultuar negativ në testimin për Covid -19 si dhe për dy raste priten rezultatet.