Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se nga informacionet e para që dalin nga djegia e zyrëve në IML që ndodhi sot rreth orës 08:00 të mëngjesit, nuk janë djegur ose dëmtuar mbejtjet mortore, arkiva e as mostrat.
“Rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, jam njoftuar që dy zyra në katin e dytë në objektin e IML, janë përfshirë nga zjarri.
Ekipet e zjarrëfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave. “ – ka shkruar Haxhiu.
Tutje ajo është shprehur se Policica e Prokuroria po i kryejnë punët e tyre, si dhe do të ketë informacione shtësë në vijim.
“Ekipet e forenzikës dhe ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit. Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre.
Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndërvite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë.
Sapo të kemi informacione më të detajuara lidhur me rastin, do të njoftojmë me kohë.” – ka shkruar Ministrja e Drejtësisë.
Kujtojmë se po në IML, kishin humbur mostrat e Astrit Deharit, e më pastaj disa nga to u rikthyen aty.
Haxhiu dje e dha dëshminë e saj në Prokurorinë Speciale në rastin Dehari.
Zjarri që ka përfshirë sot objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ka tronditur vendin. Djegia e zyrave të këtij institut dy herë brenda këtij viti ka bërë që opozita të reagon ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës.
Përfaqësuesit e partive opozitare kanë drejtuar gishtin nga Ministria e Drejtësisë, duke përgjegjësi dhe dorëheqje.
Ata kanë rikujtuar edhe skandalet tjera që kanë ndodhur në këtë institut gjatë Qeverisë Kurti.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që në mënyrë urgjente të jap me informata konkrete rreth këtij rasti!
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se duhet të dihet se a janë dëmtuar provat dhe mostrat të cilat do të dëmtojnë hetimin e ndonjë rasti.
“Për të dytën herë brenda një viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë po dëmtohet nga zjarre të dyshimta. Pas zhdukjes së mostrave të rastit të Astrit Deharit në dhjetor të vitit të kaluar dhe zjarrit të marsit të këtij viti, sot flaka kaploi disa nga zyret kryesore të këtij Instituti. Nga të gjitha organet kompetente, kërkoj që urgjentisht të hedhin dritë mbi këtë çështje. Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë, e cila menaxhon me këtë Institut, duhet të dalë urgjentisht me informata konkrete rreth këtij rasti!”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se për këto raste dikush duhet të jap përgjegjësi.
“Çfarë e shkaktoi zjarrin? Çfarë u dogj dhe cilat janë dëmet? A janë dëmtuar prova dhe mostra të tjera, të cilat do të dëmtojnë hetimin e ndonjë rasti? Si është e mundur që edhe pas zhdukjes së mostrave të rastit Dehari, mbikqyrja dhe niveli i sigurisë në këtë Institut të mbeten kaq të ulëta? Mungesa e mbrojtjes së Institutit të Mjekësisë Ligjore, edhe pas dështimeve të kaluara, nuk mund të quhet më as papërgjegjësi dhe as rastësi. Tashmë, dyshimet janë edhe më të mëdha se, për qëllime të caktuara të pushtetit aktual, ky Institut është rikthyer në cak dhe në instrument politik. Dikush duhet të jap përgjegjësi!”, ka shkruar Krasniqi.
Më i ashpër në reagim ka qenë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Ish-ministri i Shëndetësi ka kërkuar përgjegjësi dhe dorëheqje.
“Zjarri ka kapluar QKUK-në kurse heshtja ministrat e paaftë të qeverisë së mashtrimit. Para pak kohësh zjarri përfshiu Shërbimin Emergjent në Klinikën e Psikiatrisë të QKUK-së, ku pati edhe një viktimë e brenda pak kohëve, tash e disa herë digjet Instituti i Mjekësisë Ligjore. Tmerr! Përgjegjësi. Dorëheqje”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.