Lumir Abdixhiku është zgjedhur sërish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e pas kësaj ai ka bërë një postim në llogarinë e tij në Facebook, duke thënë se marrja e përgjegjësisë dy vite e gjysmë më parë ishte privelegji më i madh, ndërkaq siç u shpreh, konfirmimi i këtij besimi sot, është nder i jashtëzakonshëm.
Ai ka thënë se në çdo sfidë që kanë hasur, siç tha Abdixhiku, ka qenë një dëshmi e qëndrueshmërisë.
“Marrja e përgjegjësisë dy vite e gjysmë më parë ishte privelegji më i madh jetësor. Konfirmimi i këtij besimi sot, nga të gjithë delegatët prezent, për katër vite të tjera, është nder i jashtëzakonshëm!Kemi kaluar momente të vështira, kemi kaluar momente të gëzimit, të rigjetjes së vetes e të fatit tonë të përbashkët politik, të ringritjes si mision tek i cili shkriheshim të gjithë. Çdo sfidë që kemi hasur ka qenë një dëshmi e qëndrueshmërisë sonë, çdo triumf një nderim i unitetit tonë”.
“Dhe në gjithë këtë rrugëtim, kam marrë më të mirën nga ju. Kam gjetur njerëzoren; kam gjetur idealin e domosdoshëm për të shtyrë vendin një hap tutje. Kam gjetur vet përkushtimin që bënte të mundur këtë ecje edhe kur dukej rëndë, edhe kur dukej e pamundur. Më keni qëndruar afër si një familje e vërtetë, më shumë se sa një familje politike. Asgjë mangut në këtë rrugëtim”, ka shkruar ai.
Ai tutje përmes këtij postimi është zotuar se në katër vitet e ardhme do udhëheqë, siç tha, me nder e dinjitet.
“Shpresoj të kem ushtruar para jush me po aq përulje e përkushtim, besimin që kjo shtëpi e demokracisë më ka vënë mbi supe dy vite më parë. Shpresoj të kem arritur të përmbushë pritjet e juaja; shpresoj, mbi të gjitha, të kem arritur të sillem si një rugovist i vërtetë”.
“Zotohem se për katër vitet ardhshme do të ju prijë me nder e dinjitet. Do t’i shërbejmë bashkërisht e pa kursim, Lidhjes Demokratike të Kosovës, shtëpisë së rugovistëve, të djathtëve e patriotëve të Republikës.Le të ringritemi si një”, ka shkruar Abdixhiku.