Forcat ukrainase do të vazhdojnë të mbrojnë qytetin e Mariupolit përkundër ultimatumit që është dhënë nga Rusia, është njoftuar nga zyrtarët e Mariupolit të dielën, raporton CNN.
Një këshilltar i kryetarit të Mariupolit ka reaguar ndaj kërkesave të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë që ushtarët ukrainas që ende po rezistojnë në këtë qytet të dorëzohen.
Petro Andriushchenko ka thënë se forcat ukrainase do të vazhdojnë të luftojnë.
“Të shtunën pasdite, okupatori njoftoi se do të ofrojë ‘një korridor dorëzimi’ për trupat ukrainase që kanë mbetur. Por, mbrojtësit tanë do të vazhdojnë mbrojtjen”, ka shkruar Andriushchenko në Telegram.
Ai thotë se rezistenca e forcave ukrainase në Mariupol vazhdon përtej fabrikës së çelikut Azovstal, ku është duke rezistuar një batalion i forcave ukrainase.
“Ndonëse okupuesi dëshiron të paraqesë se rezistenca është limituar në vetëm fabrikën e çelikut Azovstal, realiteti nuk është i tillë”, tha Andriushchenko.
Refuzimi nuk i ka pëlqyer forcave ruse. Kanë paralajmëruar “eliminim” të rezistencës.
“Regjimi nacionalist i Kievit, ka ndaluar negociatat për dorëzimin. Ka rreth 400 mercenarë të huaj që i janë bashkuar forcave ukrainase e që janë ngujuar në fabrikë, përfshirë këtu evropianë e kanadezë. Në rast se ka rezistencë të mëtutjeshme, të gjithë do të eliminohen”, është thënë nga ministria e Mbrojtjes së Rusisë.