Zyra e Vjosa Osmanit del me sqarim për ligjshmërinë e bartjes së detyrës së Presidentës

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani para dy javësh ka marrë edhe detyrën e presidentes së vendit për të paktën disa muaj. Lidhur me këtë ka pasur diskutime të shumta. Nga Presidenca kanë sqaruar se u.d. e Presidentit e njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka të drejtë të ushtroj mandatin e saj në Kuvend, e njëkohësisht të ushtroj pozitën e presidentes së vendit me kompetenca të plota kushtetuese.

Në sqarimin e Presidencës thuhet se lidhur me çështjen kur në krye të htetit është një u.d. Presidente apo President, ka vendosur Gjykata Kushtetuese qysh në vitin 2010, në kërkesën e parashtruar në atë kohë nga U.D. Presidenti Jakup Krasniqi, për të sqaruar nëse i lejohet të mbajë pozicione partiake e politike përderisa është UD President.

“Për më tepër, sipas aktgjykimit të gjykatës kushtetuese asaj i lejohet të mbajë edhe pozita partiake. Duke u bazuar ne këtë interpretim U.D. Presidenti i atëhershëm, z. Krasniqi, pat garuar në zgjedhje duke mbajtur njëkohësisht edhe pozita politike edhe partiake. Pra, aktgjykimi ka sqaruar se kufizimet që vlejnë për një President të zgjedhur, sa i përket aktivitetit politik e partiak, nuk vlejnë për U.D. të Presidentit”, thuhet në sqarim.

Sqarimi i plotë:

Debati që po zhvillohet gjithandej në lidhje me aspektet kushtetuese në relacion me postin e u.d. të Presidentes së vendit, ka marrë konotacion fushate.
Është bërë trend që për aspekte kushtetuese, të dominojë qëndrimi i një ish-ligjëruesi të së drejtës afariste, fushë kjo që nuk ka asgjë të përbashkët me njohuri të cështjeve kushtetuese.
Kjo qasje juridike, përveç se është e gabuar, është edhe tendencioze sepse po injorohen edhe vet Kushtetuta e vendimet e gjykatës kushtetuese.
Lidhur me çështjen kur në krye të shtetit është një u.d. Presidente apo President, ka vendosur Gjykata Kushtetuese qysh në vitin 2010, në kërkesën e parashtruar në atë kohë nga U.D. Presidenti Jakup Krasniqi, për të sqaruar nëse i lejohet të mbajë pozicione partiake e politike përderisa është UD President. Pra, në aspektin juridik kjo është një çështje krejtësisht e qartë dhe pa asnjë dilemë të vetme juridike. Ndër të tjera, në këtë aktgjykim është konstatuar se mbajtja dhe ushtrimi i përkohshëm i funksioneve të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht ushtrimi i postit politik nuk është në papajtueshmëri me Kushtetutën e vendit. Njëkohësisht është sqaruar se u.d. i Presidentit mund të ushtrojë edhe pozita partiake, meqë në atë pozicion, pra si U.D. i Presidentit është vetëm përkohësisht. (Bashkëngjitur vendimi: https://gjk-ks.org/ëp-content/uploads/vendimet/ko_97_10_shq.pdf)
Pra, nga aspekti juridik, u.d. e Presidentes, e njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit, znj. Osmani – Sadriu, ka të drejtë të ushtroj mandatin e saj në Kuvend, e njëkohësisht të ushtroj pozitën e Presidentes së vendit me kompetenca të plota kushtetuese. Për më tepër, sipas aktgjykimit të gjykatës kushtetuese asaj i lejohet të mbajë edhe pozita partiake. Duke u bazuar ne këtë interpretim U.D. Presidenti i atëhershëm, z. Krasniqi, pat garuar në zgjedhje duke mbajtur njëkohësisht edhe pozita politike edhe partiake. Pra, aktgjykimi ka sqaruar se kufizimet që vlejnë për një President të zgjedhur, sa i përket aktivitetit politik e partiak, nuk vlejnë për U.D. të Presidentit.
Siç shihet nga faktet e sipërme, çështja në aspektin kushtetues është krejtësisht e qartë, ndaj fushatat e tilla vetëm sa krijojnë konfuzion dhe nxisin polarizim në jetën politike të vendit.
U.d. Presidentja Osmani në këtë detyrë është përkohësisht dhe do të kryej detyrat e saj në përputhje të plotë me kushtetutën dhe vendimet e gjykatës kushtetuese.