Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përmes një komunikate për media thotë se ka pranuar pyetje të shumta nga mediat lidhur me hetimin rreth dërgimit të dokumenteve në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, të cilat dokumente potencialisht ndërlidhen me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
PSRK bën të ditur se aktualisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është duke e hetuar këtë çështje.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është e gatshme të asistojë, nëse diçka e tillë kërkohet”, ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton publikun që zbulimi i paautorizuar i dokumenteve konfidenciale ose informacionit lidhur me dëshmitarët e mbrojtur nënkupton shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe mund të jetë e dënueshme me dënim me burgim.
Para disa ditësh, në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës kanë arritur dokumente të klasifikuara si konvencionale të cilat thuhet se kanë rrjedhur nga Gjykata Speciale.
Në një konferencë për media, nga OVL e UÇK-së thanë se Gjykata Speciale tashmë e ka humbur kredibilitetin me rrjedhjen e këtyre dosjeve ku ka shumë dëshmi e dëshmitar.
KosovaPress ka pyetur Gjykatën Speciale nëse dosjet janë apo kanë dal nga ky institucion, por gjithashtu edhe rreth çështjes nëse ka dështuar gjykata sa i përket mbrojtjes së dëshmitareve. Megjithatë, një gjë të tillë nuk kanë dashur ta komentojnë përfaqësuesit e kësaj gjykata.
Specialja ka dhënë edhe një përgjigje sa i përket publikimi të kësaj dosje nga mediat.
“Ne i kemi parasysh raportimet e mediave për këtë çështje. Nuk kemi asnjë koment për të bërë”, thuhet në përgjigjen e përfaqësuesve për media në Gjykatën Speciale.