Përmes parashtresës drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake lidhur me konferencën e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është deklaruar sërish që fillimi i gjykimit të jetë në shtator të vitit 2021.
“ZPS ka përshkruar, këtu dhe më parë, qasjen proaktive dhe rigoroze që ka adoptuar në drejtim të zbulimit të provave, një mënyrë që do të lejojë që gjyqi të fillojë në shtator 2021”, thuhet në këtë shkresë.
Tutje, thuhet se ky regjim kërkues po ndërmerret në interes të përmbushjes së detyrimeve ligjore të një date të gjykimit të drejtë dhe të shpejtë.
Sipas tyre, orari i përshkruar lejon për shumë muaj përgatitje të mbrojtjes dhe hetim paraprak për një çështje të përcaktuar qartë, ndërsa njeh interesat themelore të viktimave dhe dëshmitarëve dhe të drejtësisë, në zvogëlimin e rreziqeve të ndërhyrjeve dhe kërcënimeve në një periudhë të zgjatur paragjyqësore.
“Sidoqoftë, mbrojtja në mënyrë të përsëritur është përpjekur të karakterizojë afatin kohor si një përpjekje për të minuar një gjykim të drejtë, duke pretenduar se gjyqi nuk mund të fillojë për një minimum prej 18 muajsh nga fillimi i 2021, dhe me gjasë edhe më i gjatë”, thuhet në shkresë të ZPS-së.
Ndryshe, të enjten pritet të mbahet konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit në Hagë.
Konferenca në fjalë pritet të nis në ora 11:00, kurse, siç thuhet në faqen zyrtare të DHSK-së, përveç nëse specifikohet ndryshe, seancat publike transmetohen përmes internetit me një vonesë prej 45 minutash.
Konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK).
“(1) Gjykatësi i procedurës paraprake mbledh një konferencë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore sa më shpejt që të jetë e mundshme pas paraqitjes së parë të të akuzuarit dhe më pas nëse del e nevojshme për: (a) organizimin e shkëmbimeve midis palëve dhe, kur është e zbatueshme, të mbrojtësit të viktimave për të mundësuar përgatitje të shpejtë për gjykimin; (b) ndërmarrjen e hapave që mundësojnë çdo përgatitje të nevojshme prej palëve në mënyrë të zellshme dhe në kohë; dhe (c) rishikimin e ecurisë së çështje gjyqësores dhe që palëve, e kur është e zbatueshme mbrojtësit të viktimave, t’u jepet mundësia e ngritjes së problemeve në lidhje me çështjen gjyqësore”, thuhet në pikën e parë të rregullës së lartpërmendur.
“(2) Me pëlqimin me shkrim të të akuzuarit që jepet pas këshillimit me mbrojtësin e vet të specializuar, konferenca për ecurinë e çështjes gjyqësore në bazë të kësaj rregulle mund të mbahet: (a) në praninë e të akuzuarit dhe me pjesëmarrjen e mbrojtësit të specializuar nëpërmjet videokonferencës; (b) në praninë e mbrojtësit të specializuar dhe me pjesëmarrjen e të akuzuarit nëpërmjet videokonferencës; dhe (c) në mungesë të të akuzuarit me praninë e mbrojtësit të specializuar, ose pjesëmarrjes së mbrojtësit të specializuar nëpërmjet videokonferencës” , thuhet tutje në pikën e dytë të Rregullores së Procedurës dhe Provave të DHSK-së, transmeton “Betimi për Drejtësi”.
Më 18 nëntor ishte mbajtur konferenca e parë mbi ecurinë e çështjes.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.