ZRRE-ja vendos që tarifat e rrymës të mos ndryshojnë këtë vit

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka marrë vendim që tarifat përfundimtare për konsumatorët fundorë, të cilët furnizohen nga Furnizuesi me Shërbim Universal (FSHU-KESCO), të mbesin të njëjtat si në strukturën tarifore paraprake.

Ky vendim është marrë sot në seancën e III-të për këtë vit nga ZRRE-ja.

“Bazuar në propozimin për tarifat përfundimtare për konsumatorët fundorë, të cilët furnizohen nga Furnizuesi me Shërbim Universal (FSHU-KESCO), Bordi i ZRRE-së ka vendosur që të njëjtat të mbesin në fuqi si në strukturën tarifore paraprake. Përderisa tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të Transmetimit dhe rrjetit të Shpërndarjes ndryshojnë nga ato të viteve të kaluara, në përputhje me të Hyrat Maksimale të Lejuara (MAR), por këto ndryshime nuk kanë asnjë ndikim në tarifat përfundimtare të konsumatorëve të rregulluar për periudhën rregullative 1 prill 2020 – 31 mars 2021”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, të gjitha materialet e ndërlidhura me proceset e shqyrtimeve tarifore si dhe të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të ZRRE www.ero-ks.org.