Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, njoftoi se ka pranuar letër nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), lidhur me shkresën që i kishte nisur këtij institucione, për të kryer hetime mbi masakrën e Dubravës.
Ai e publikoi të dielën në Facebook letrën e ZPS-së, derisa tha se kërkesa e tij do të shqyrtohet. Deputeti i partisë në pushtet tha se shpreson që autoritetet e larta serbe të dënohen për krimet e kryera, derisa kërkoi që Dhomat e Specializuara të sqarohen nëse janë njëetnike.
“Dua t’ju informoj se ditë më parë, kam pranuar një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Letra konfirmon se Prokuroria ka marrë shkresën që i kam dërguar me postë më 29 prill, në të cilën kërkova nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Letra e Prokurorisë po ashtu njofton se kërkesa ime do të shqyrtohet nga ana e tyre”, thuhet në njoftimin e tij.
Dugolli, njëherësh i mbijetuar i masakrës së Dubravës, i ka ofruar fakte ZPS-së lidhur me krimet e Serbisë në Burgun e Dubravës më 1999.