Zoran Gjokiq dënohet me 12 vjet burgim për krime lufte

Zoran Gjokiq është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për kryerje të krimeve të luftës në rajonin e Pejës, përkatësisht në lagjen “Kristal”.

Portali Betimi për Drejtësi” raporton se Gjokiq është dënuar të enjten me 12 vjet burgim, duke përfshirë edhe kohën e kaluar në paraburgim.

Gjokiq akuzohet se në periudhën mars – prill të vitit 1999, përkatësisht më datën 29 mars 1999 ka bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal të nacionalitetit serb dhe besohet se ka shkuar në lagjen “Kristal” të Pejës, duke marrë pjesë në aksionin që kishte filluar për vrasjen dhe dëbimin e qytetarëve shqiptarë nga shtëpitë e tyre.

Prokuroria ka ngarkuar Gjokiqin se ka kryer veprat penale, krime të luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës dhe krime të luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar.