Shtëpia e pleqve në Prishtinë mbrëmë është përfshirë nga zjarri. Nga shpërthimi i zjarrit fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë për Telegrafin se disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të vështirësisë të frymëmarrjes nga tymi.
“Të dielen rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën “Afrim Loxha” në Prishtinë, saktësisht në shtëpinë e pleqve. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Zjarri është lokalizuar dhe bazuar në informatat e deritanishme, raportohet për persona që kanë kërkuar ndihmë për shkak të vështirësisë së frymëmarrjes nga tymi”, ka thënë Ahmeti.
Pas incidentit të zjarrit i cili ndodhi në Shtëpinë e të Moshuarve, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren Jehona Lushaku dhe ekipin përkatëse të drejtorëve, vizituan vendin e ngjarje.
Sipas njoftimit të komunës, pas konsultimeve me ekipin e urgjencës mjekësore, zjarrfikësve dhe ekipit për siguri dhe emergjenca u mor vendim që të moshuarit për çështje sigurie, derisa të bëhet pastrimi i objektit, të zhvendosen në hotel.
“Sa i përket shkaqeve të incidentit të zjarrit, njësitë relevante policore janë duke u marrë me rastin”, thuhej në njoftim.
Ndërkaq Rama para mediave tha se të gjithë banuesit në Shtëpinë e të Moshuarve, janë evakuuar dhe do të dërgohen në hotel.
“Të gjithë janë mirë në aspektin shëndetësorë, mjekët janë këtu për të konfirmuar se të gjithë janë mirë. Isha në inspektim së bashku me ekipin dhe vendosëm për çështje sigurie që banorët sot me i largu dhe me i dërguar në një hotel”, ka deklaruar Rama.
Arsyeja e zjarrit ende nuk dihet zyrtarisht, por Rama thotë se po dyshohet që nga ndezja e një cigare nga një i moshuar është djegur një batanije ku më pas zjarri është përhapur.