Flora Ahmeti, zëdhënëse në polici për rajonin e Prishtinës, konfirmon për Gazetën Express se zjarri është lokalizuar në ndërtesën që u përfshi nga flaka në Emshir të Prishtinës. Në bazë të të dhënave që posedon policia, deri më tani 13 personave u është ofruar ndihmë mjekësore.
Shkaqet e zjarrit është herët të dihen, teksa Ahmeti shprehet se për detaje të tjera opinioni publik do të njoftohet me kohë.
Konfirmimi i saj i plotë:
Sot rreth orës 18:40, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një ndërtesë në lagjen Emshir në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit të cilët po merren me rastin.
Derisa po vazhdon evakuimi banorëve të ndërtesës, bazuar në të dhënat e deritanishme disa persona janë duke u trajtuar nga ekipet mjekësore, kryesisht probleme që janë shkaktuar nga tymi.
Informacion shtesë:
Aktualisht situata është vënë nën kontrollë, zjarri është lokalizuar nga ana e zjarrfikësve. Bazuar në të dhënat aktuale numri i personave që u është ofruar tretman mjekësor arrinë në trembëdhjetë (13). Për detajet rreth rastit do të njoftoheni pas përfundimit të ekzaminimeve të nevojshme hetimore e procedurale nga institucionet kompetente.