Qetësia vjen në dy nivele: ajo fizike kur ju zgjoheni me diellin dhe nuk ju shqetëson askush; dhe ajo mendore, paqe dhe qartësi.
Zgjimi herët në mëngjes duket diçka shumë e vështirë, sidomos në rastet kur rehatia që të ofron krevati dhe jastëku nuk kanë të krahasuar me botën përjashta.
Sa herë që përpiqesh të zgjohesh, një zë brenda vetes të thotë “rri edhe pak.”
Ndonjëherë këtë zë arrijmë ta mposhtim dhe herë të tjera i dorëzohemi. E vërteta është që zgjimi herët në mëngjes kërkon disiplinë dhe vetë kontroll.
Zgjimi në mëngjes të jep shumë kohë dhe të ofron ndjesinë e arritjeve të suksesshme që të presin në 12 orët e ardhshme.
Zgjimi herët, ushqyerje e shëndetshme
Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës që nuk duhet anashkaluar.
Nëse zgjoheni vonë, me siguri nuk do të hani mëngjes dhe organizmi juaj do të ketë një fillim të vështirë.
Mëngjesi është baza e të ushqyerit shëndetshëm në mënyrë afatgjatë dhe të ndihmon në shmangien e ushqimeve të shpejta e të pashëndetshme gjatë ditës.
Ata që zgjohen herët janë më proaktivë
Studimet kanë treguar që njerëzit që zgjohen herët kanë më shumë vetëbesim, janë më të mprehtë dhe të përqendruar por edhe më ndërveprues.
Ora e parë e ditës dhe mënyra se si e shpenzoni atë, është përcaktuese jo vetëm për orët në vijim por edhe për jetën në përgjithësi.
Zgjimi herët pakëson stresin dhe ju ndihmon të keni një sjellje më pozitive. Për më tepër nuk do të keni nevojë të nxitoni sepse koha do t’ju mjaftojë.
Shpërqendrimet në orët e para të mëngjesit janë të pakta, ndërprerjet po ashtu.
Pas një gjumi të mirë, truri është gati t’i futet punës. Ju jeni më efikasë dhe punoni më mirë. Ata që zgjohen herët marrin vendime të mira, planifikojnë dhe vendosin objektiva.
Zgjimi herët mund të jetë i vështirë në fillim, por kur t’ia merrni dorën, do të vlerësoni energjinë që ky proces sjell.
Më shumë kohë për aktivitet fizik , gjumë cilësor
Aktiviteti fizik herët në mëngjes nuk shkakton përplasje me planet tuaja ose punën gjatë ditës. Është thuajse e pamundur të anuloni një aktivitet fizik të caktuar në mëngjes në krahasim me ato të mbrëmjes që anulohen falë planeve të minutës së fundit.
Stërvitja fizike sjell shumë energji për të përballuar ditën.
Zgjimi herët promovon një gjumë më të mirë. Nëse flini herët dhe zgjoheni herët, ora juaj e brendshme funksionon në bazë të një rutine specifike. Ju do të ndiheni më të qetë dhe pa lodhje.
Arritje më të mëdha, më shumë kohë
Zgjimi herët nënkupton vendosje objektivash dhe detyra të arrira. Nëse i vendosni vetes një objektiv, ju do të përpiqeni fort që ta arrini atë.
Do të jeni më produktivë dhe më të lumtur me arritjet tuaja.
Të zgjuarit herët do të thotë që ia keni kaluar të gjithëve, jeni më të qetë, më të organizuar dhe më të arrirë në krahasim me të tjerët që vrapojnë për në zyrë.
Kjo do t’ju shfaqë si më të përkushtuar dhe më punëtorë në sytë e shefit.
Kur zgjoheni herët, keni më shumë kohë të planifikoni, mendoni, organizoheni dhe bëni strategji për arritjet e ditës.
Vetë përmbajtje
Zgjimi herët kërkon disiplinë. Kontrollin mbi jetën tuaj e keni ju.
Do të pajiseni me aftësi për menaxhimin e kohës, do të jeni më të organizuar, më të vetë përmbajtur dhe më të qartë në ide dhe vizion.