Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të mblidhet të premten. Kjo mbledhje e këshillit vjen pak ditë pasi LDK-ja shpalli zgjedhjet e brendshme.
Siç thuhet në njoftim, mbledhja do të mbahet në orën 16:00, në Emerald Hotel.
Pak ditë më parë, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku bëri të ditur se partia të cilën e udhëheq do të hyjë në zgjedhje të brendshme më 1 qershor.
I njëjti kishte deklaruar se e kryesia ka votuar në mënyrë unanime për mbajtjen e tyre. Propozimi për mbajtjen e zgjedhjeve do i dërgohej Këshillit të Përgjithshëm, për formalizimin e mbajtjes së tyre.
Ndryshe, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se më 1 qershor partia të cilën e drejton do të hyjë në zgjedhje të brendshme.
Abdixhiku u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të LDK-së që nëse kanë ambicie për kryetar të partisë të garojnë.
“Ftoj secilin pjesëmarrës që ka ambicie, plan, ide të qarta, që ta shtrojë platformën në anëtarësi, dhe vendos tani anëtarësia”, tha ai.
Abdixhiku theksoi se brenda LDK-së nuk ka mospajtime, dhe se sipas tij, partia është më e bashkuar se kurrë.
Ai bëri të ditur se Këshillit të Përgjithshëm do t’ia paraqesë shtatë parime, një nga to është barazia gjinore, ku sipas tij, në çdo degë pozita e nënkryetarit të jetë e garantuar për një grua.