Pozita e presidentit të ardhshëm të Kosovës, aktualisht është temë debati te partitë e mëdha politike. Ndër opsionet e mundshme, është hasur propozimi i zgjedhjes së një presidenti konsensual e deri te nominimet e partive politike për liderët e tyre.
Sa më shumë që afrohet fundi i mandatit të presidentit aktual, shtohen edhe apetitet e kandidatëve dhe partive politike për këtë pozitë.
Analisti Shkodran Ramadani, parasheh që kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka më shumë gjasa të jetë president i ardhshëm.
“Ramush Haradinaj ka më shumë gjasa për një post të tillë, pasi nëse ai nuk e merr këtë post e dërgon vendin në zgjedhje. Ai shpreson se nëse shkohet në zgjedhje LVV së bashku me Vjosa Osmanin mund të merrnin mbi 40 deputetë, e në këtë mënyrë shpreson se do të merrte votat nga koalicioni qeveritar i ardhshëm”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Shkodran Ramadani.
E opinionisti Faton Abdullahu e ndërlidhë pozitën e presidentit të Kosovës edhe me zgjedhjet presidenciale në SHBA. Sipas tij, në Kosovë do të ishte më mirë të pritej përfundimi i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
“Do të ishte shumë më mirë që ne të presim edhe pak. Posa të përfundojnë zgjedhjet në SHBA edhe ne t’i futemi këtij procesi dhe bashkë me proceset tjera në një paketë të zgjedhet edhe presidenti i ardhshëm”, deklaroi Faton Abdullahu.
E Hulumtuesi në “Demokraci Plus”, Emir Abrashi nuk beson se do të mund të zgjedhet një president konsensual.
“Nëse vazhdon diskursi aktual, ne nuk besojmë se do ta zgjedhim një figurë konsensuale, rrjedhimisht më dështimin e tri seancave për zgjedhjen e presidentit, vendi automatikisht shkon në zgjedhje”, deklaroi Emir Abrashi.
Deri më tani vetëm Ramush Haradinaj edhe zyrtarisht është propozuar nga partia e tij, AAK-ja, si kandidat i mundshëm për President. Kurse nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se lideri i kësaj partie, Isa Mustafa do të jetë kandidati për kreun e shtetit. /RTV Dukagjini/