Zëvendësministri i Drejtësisë: U keqpërdorën rreth 1 milion euro, ekspertët e Mjekësisë Ligjore u kompensuan jashtëligjshëm për 5 vjet

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu gjatë konferencës për medie ka thënë se ekspertët mjeko-ligjor janë kompensuar për punën shtesë, punën jashtë orarit dhe pjesëmarrjen e mjekëve ligjor në seanca gjyqësore në mënyrë të jashtëligjshme.

Sallahu tha se ata janë kompensuar në bazë të udhëzimit administrativ, i cili është bërë në bazë të ligjit që nuk është në fuqi që nga viti 2016.

“Këshilli Prokurorial i kishte propozuar ish-ministres Dhurata Hoxha që të rishikohet udhëzimi që rregullonte mënyrën e kompensimit të punës jashtë orarit të punës për ekspertët e mjekësisë ligjore, për shkak se ishte i bazuar në ligjin i cili ishte shfuqizuar. Por, ky udhëzim është ende në fuqi dhe është duke u zbatuar”, tha Sallahu.

Ai shtoi se, pavarësisht që i është tërhequr vërejtja nga Këshilli Prokurorial, ish-ministrja Dhurata Hoxha e ka injoruar letrën e tyre dhe nuk ka marrë asnjë hap për mbrojtjen e parasë publike.

“Për shkak të këtij mos-veprimi, ekspertët mjeko-ligjor janë kompensuar jashtëligjshëm në vlerë afër 1 milion euro për gjatë 5 viteve të fundit, [përmes një udhëzimi administrativ të bazuar në ligjin e vitit 2021, i cili nga viti 2016 nuk është më në fuqi”, theksoi Sallahu.

Zëvendësministri i Drejtësisë, tha po ashtu se ka pasur raste te favorizimeve, ku disa ekspertë të mjekësisë ligjore janë thirrur më shpesh në seanca dhe kanë përfituar më shumë mjete financiare se disa të tjerë.

“Kemi hartuar draftin e ri të vendimit në bazë të ligjit të ri në fuqi për metodën e llogaritjes së tarifave për shërbimet e mjekësisë ligjore, kompensimin e punës jashtë orarit të punës dhe pjesëmarrjes në seanca të ekspertëve të mjekësisë ligjore”, njoftoi ai.