Zëvendësi i Edi Ramës sulmon ashpër Albin Kurtin

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, i është kundërpërgjigjur ashpër ish-kryeministrit të Kosovës dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Braçe përmes një postimi të gjatë të Facebook, ka akuzuar Kurtin se po punon për opozitën, si dhe e ka përdorur edhe figura të shumta në reagimin e tij, duke thënë se ai nuk është “Messi i minutës së 123-të”, duke iu referuar përcaktimit të ndeshjeve të mëdha.

Kurti një ditë më parë, përmes një postimi la fajtor pushtetin për vrasjen e qytetarit Klodian Rasha nga policia në Shqipëri dhe për zemëratën që po tregojnë qytetarët përmes protestave të vazhdueshme në të gjitha qytetet e Shqipërisë.

Por Braçe këtë e ka quajtur legjitimim të dhunës dhe sipas tij, këtu e ka gabim Kurti.

“A e mban mend Albin se ata që vranë Arbenin dhe Monin, Astritin në birucë më pas, as u hetuan, as u gjykuan e as u ndeshkuan, as atëherë e as sot? A e mban mend Albin se ata që ekzekutuan – kështu thotë miku yt i ri Sali Berisha, Ziverin, Hekuranin, Aleksin, Faikun as u hetuan, as u gjykuan, as u ndëshkuan drejtësisht, as atëherë e as sot? U shpërblyen me para madje, mu siç mafia shpërblen vrasësit! A e di Albin se mbi një dyzinë të rinjsh, burra,

ka edhe shqiptarë të Kosovës mes tyre, në kohe të ndryshme, por në regjimin e Sali Berishës gjithnjë, janë vrarë nga policia e SHIK në rrugë apo biruca dhe, për ta nuk ka asnjë gjurmë në regjistrat e shtetit? I gjen në raporte ndërkombëtare, por në asnjë regjistër shteti sepse për ta, qeveria e kohës nuk bëri kurrë atë që bëmë ne në rastin e Klodjan Rashës për të hetuar, gjykuar e ndëshkuar krimin me armën e uniformen e shtetit!

Nuk jemi njesoj Albin, nuk jemi njësoj! Fyen kur tenton të na demonizosh, përpiqesh të na poshtërosh duke na njësuar me sjelljen, veprimin e mosveprimin ndaj një krimi, vetë krimin, krimet e regjimit të Sali Berishës, Sali Berishës e Ilir Metës bashkë, shtuar me kanakaret e tyre familjarë!”, ka shkruar ndër të tjera Braçe.