Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë që shumica e qytetarëve, pas lirimit të masave e kanë shprehur mendimin që virusi nuk ekziston.
“Shumica e qytetarëve pas lirimit të masave, e kanë shprehur mendimin që virusi nuk ekziston dhe kjo ka qenë evidente. Fatkeqësisht kjo është shprehur edhe nga elita intelektuale, nga njerëzit e profesioneve të ndryshme, por edhe nga bartësit e insititucioneve që kanë përgjegjësi”.
” Edhe tek ne edhe në aspektin global dhe rajonal, ishin disa analiza dhe statistika që virusi është izoluar dhe po shkojmë drejt përmirësimit të situatës”.
“Me lirimin e masave në fund të muajit maj, filluan lëvizjet e pakontrolluara të qytetarëve dhe mosrespektimi i masave në vazhdimësi. Ne kishim vlerësim, që në ditët në vijim, do të ketë numër të rritjeve të rasteve, por të kontrolloheshin në atë mënyrë që të mos kishim numër që të mbingarkonte edhe sistemin tonë shëndetësor dhe të mos krijohej panik”, është shprehur Zemaj.
Zemaj në Rubikon në Klan Kosova, ka thënë që situata me pandeminë është nën kontroll, edhe pse sipas tij, klinikat janë të ngarkuara.
“Situata është gjithmonë nën kontroll, derisa kemi kapacitete për ta menaxhuar. Klinikat janë të ngarkuara, sidoqoftë kemi kapacitete. Fatmirësisht, numri i rasteve të hospitalizuara nuk është akoma në nivelin e skajshmërisë për të kërkuar ndihmë, qoftë në spitalet private apo të krijojmë hapësira tjera”.
Megjithatë Zemaj ka theksuar se nuk e përjashton këtë si mundësi.
“Vendimi i fundit i Qeverisë, ka ngritur në nivelin më të lartë të kërkekës për decentralizim të shërbimeve. Pata filluar bashkarisht me Shërbimin Spitalor edhe në Spitalet Rajonale që t’i ofrojmë këto kushte. Por, fokusi ynë ishte brenda QKUK-së”.