Zemaj: Qytetarëve të Shqipërisë dhe Luginës që hyjnë në Kosovë, nuk do t’u kërkohet testi për COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se qytetarëve të Shqipërisë dhe të Luginës së Preshevës nuk do t’u kërkohet testi për Covid-19 me rastin e hyrjes në Kosovë.

Këtë e bëri të ditur Zemaj, përmes një statusi në Facebook, ku ka takuar ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

“Sapo u takova me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, të cilit i konfirmova se qytetarëve e Republikës së Shqipërisë që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, nuk i kërkohet testi për COVID-19.

Vendimi i Qeverisë se Kosovës është bazuar në parim të reciprocitetit, si rrjedhojë nuk kërkohen testime nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë dhe as nga bashkëqytetarët tanë nga Lugina e Preshevës.

Bashkë me ambasadorin Minxhozi, u zotuam që do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve”, ka shkruar Zemaj.