Zemaj: Po përgatitemi për valën e dytë, gjendja ende është delikate

Me gjysmë ore vonesë ka nisur mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, ku për situatën me pandeminë po raporton ministri Armend Zemaj.

Gjithashtu në mbledhje janë edhe drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe u.d i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Kryetarja e Komisionit, deputetja Albena Reshitaj, është interesuar lidhur me menaxhimin e pandemisë si dhe atë nëse Kosova është e përgatitur për përballje me pandeminë në kohën e vjeshtës.

Ministri Zemaj, në fjalën e tij ka thënë se masat e ndërmarra nga data 28 korrik gjendja ka filluar të përmirësohet. Ai ka përmendur se shifrat kanë rënë dhe se kjo po u jep mundësinë që të përgatiten për valën e dytë.

Megjithëkëtë, sipas tij, gjendja është ende delikate dhe, siç u shpreh ai, “akoma duhet të jenë koeshient sa i përket shtimit të kapaciteteve spitalore për trajtim të rasteve të reja”.

Zemaj ka folur edhe për shtim të kapaciteteve njerëzore, duke thënë se kanë angazhuar edhe 200 profesionistë shëndetësorë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se sa i përket numrit të testimeve për koronavirus, kanë shtrirë ato edhe në sektorin privat dhe se në procedura kanë edhe blerjen e 7 aparaturave për testim për Covid-19.

Tha se ato do të vendosen në institucionet shëndetësore publike.

Për vaksinat e gripit sezonal, Zemaj ka thënë se kanë përfunduar procedurat e prokurimit në bashkëpunim me UNICEF-it për rreth 160 mijë vaksina dhe se do të zhvillojnë procedura edhe për sigurimin e rreth 200 mijë vaksinave të tjera.

Ndërkohë që për vaksinat kundër Covid-19 ka thënë se janë duke punuar që të sigurojnë ato të paktën për rreth 70 për qind të popullatës së rrezikuar.

“Në këtë fazë ajo që na duhet është ngritja e vetëdijësimit të popullatës për virusin, si për grupet e rrezikuara ashtu edhe për skeptikët që thonë se virusi nuk ekziston”, tha ai.