Zemaj nuk e përjashton mbylljen, thotë se brenda këtij muaji do të kemi masa të reja


Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se për të luftuar sa më shumë koronavirusin shpresa e vetme është në zbatimin e plotë të masave.

Ai ka paralajmëruar se mund të ketë një mbyllje të re, siç e ka quajtur të kontrolluar, por ka thënë se nuk do të jetë sikur në muajt mars e prill.

“Nuk e përjashtoj mbylljen që ta kemi një kontrolle më të madhe për virusin, qe ta kemi në kontrollë shtatorin, sepse ka gripa të tjera. Ky është vlerësim, mund të ndodh që të ketë një mbyllje të kontrolluar pa e lënduar pjesën organizative të jetës, por që mbyllja na siguron ta kemi nën kontroll pandeminë, që në shtator të jemi super të përgatitur”, ka thënë Zemaj në TV Kanal 10.

Ai ka paralajmëruar edhe kufizim të lëvizjes me orare.

“Mbyllje jo si në mars, por mbyllje të kontrolluar dhe mirë të menaxhuar, duke organizuar formën e jetës, por në zbatimin e masave”, tha Zemaj, duke shtuar se para shtatorit mund të kthehet orari i lëvizjes për qytetarët me orare të caktuara.