Zemaj në Vërmicë: Të gjithë ata që hyjnë në Kosovë, t’i respektojnë masat e dhëna nga IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj, kanë vizituar pikën kufitare në Vermicë me Shqipërinë, për të parë implementimin e masave të reja të marra nga Qeveria e Kosovës lidhur me pandeminë COVID-19.

Ministri Zemaj ka kërkuar që të respektohen masat e marra nga IKSHPK-ja, duke thënë se duhet të jemi korrekt dhe të ruajmë shëndetin.

“Jemi këtu që të shohim edhe në praktikë sesi po qëndron çështja e lëvizjes së lirë. I lus të gjithë ata që hyjnë në Kosovë ti respektojnë masat e dhëna nga IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë”, tha Zemaj.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramandani tha se kalimi i kufirit në mënyrë të lirë nuk nënkupton që do ta rrezikojmë shëndetin e qytetarëve.

 “Kalimi dhe lehtësimi i masave nënkupton lëvizjen e lirë duke u mbrojtur duke respektuar masat e marra si mbajtja e distancës, higjiena personale dhe bartja e maskave. Nëse Instituti sheh se qytetarët nuk po i zbatojnë këto masa atëherë do të detyrohemi të marrim masa më rigoroze deri në përkufizime të ndryshme të lëvizjes së lirë”, tha Ramadani.

Ai shtoi se këtë po e bëjnë për hir të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve.

“Virusi nuk ka këmbë ne mund ti japim këmbë duke rrezikuar shëndetin. Ne duhet t’i rikthejmë masat në rast se qytetarët nuk i zbatojnë këto masa”, tha Ramadani.

Ai shtoi se virusi më nuk e ka intensitetin e njëjtë, mirëpo nëse ai prek një organizëm të një qytetari i ka të njëjtat pasoja në shëndet sikurse në fillim.