Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Çagrı Sakar, me të cilin biseduan për bashkëpunimin në shëndetësi midis dy shteteve.
Zemaj falënderoi Sakar për kontributin e dhënë nga Turqia për Kosovën në angazhimet për një përgjigje sa më adekuate ndaj pandemisë Covid-19, ndërkaq ky i fundit ka theksuar se pandemia ka sfiduar të gjitha shtetet dhe në këtë kontekst, solidariteti mes popujve dhe bashkëpunimi ka rëndësi të jashtëzakonshme.
Ai u shpreh se për popullatën është me shumë rëndësi që të zbatohen masat e ndërmarra nga Qeveria dhe rekomandimet e dhëna nga ekspertët mjekësorë.
Ndërkaq Zemaj deklaroi se Kosova ka rritur kapacitetet për t’u ballafaquar me Covid-19, ndërsa bashkëpunimi me partnerët strategjikë ka rëndësi të madhe për të këmbyer eksperiencat, por dhe për të ofruar ndihmën e njëri- tjetrit.
Sipas komunikatës së MShsë, në fillim të pandemisë, Republika e Turqisë ka ndihmuar Kosovën me një kontigjent të madh ndihmash, kryesisht në pajisje mbrojtëse profesionale, shtretër e aparaturë, ndërsa ditë më parë kë ndihmuar edhe në hapjen e maternitetit të ri në Kujdesin Parësor Shëndetësor të Komunës së Istogut.