Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot nuk ka dalë në konferencë për media pas ngjarjeve në Infektivë dhe rritjes së numrit të vdekjeve, por ka zgjedhur “facebook”-un për t’iu drejtuar qytetarëve.
Zemaj thotë se pavarësisht situatës në të cilën gjendet vendi, sistemi shëndetësor në Kosovë ka potenciale ende për përballjen me virusin, derisa ka bërë thirrje që të respektohen rekomandimet e profesionistëve të mjekësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se dikush është duke shfrytëzuar gjendjen e krijuar në Kosovë pas më shumë se dhjetë vdekjeve në 24 orët e fundit për të shkakruar sabtoim të punës.
Ka thënë se kështu po rrezikohet jeta e qytetarëve.
“Ata që po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë gjendje duke krijuar mjegullë, për të shkaktuar sabotime në punën tonë po gabohen dhe vetëm se rrezikojnë qëllimshëm shëndetin e qytetarëve”, ka shkruar Zemaj, në një reagim në Fb.
Ai nuk ka treguar se kush po saboton dhe as kush po krijon mjegull. Por, vetëm ka përmendur badygardët, rojet, politike pa specifikuar se për cilat adresa politike e ka fjalën
“Nuk ka vend për reagime histerike sidomos nga bodigardët politik që po përpiqen ta dëmtojnë punën tonë dhe të mantelbardhëve”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se nuk do të lejohet të krijohet mjegull derisa lufta do të vazhdojë për mposhtjen e pandemisë.
“Duke qenë se këto çështje janë të ndjeshme dhe mund të interpretohen saktësisht vetëm nga profesionistet e fushës, ju bëj thirrje që të mos bëhet presion mbi personelin shëndetësor dhe t’i lënë ata ta kryejnë punën e tyre, ashtu si deri më tani”, ka shtuar ai.
As Zemaj s’ka treguar sa persona kanë vdekur në 24 orët e fundit dhe as në ditën e sotme që u raportuan katër ose pesë viktima. Vetëm ka shprehur ngushëllime për viktimat.
“Me këtë rast, e ndajë dhimbjen time dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për humbjen e këtyre jetëve dhe familjarëve ju shpreh ngushëllime më të sinqerta. Të gjithë këta ishin pacientë me sëmundje të tjera shoqëruese. Fakti se nga ky virus më të ndjeshëm janë ata që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera, askënd nuk e liron nga përgjegjësia”, ka shtuar Zemaj.