Ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe deputetëve Armend Zemaj, Avdullah Hoti e Arben Gashi të kësaj është planifikuar një atentat.
Deputeti Armend Zemaj në Kanal 10 ka thënë se ky lajm ka shqetësuar familjet e të kërcënuarve dhe mbarë popullin e Kosovës.
“Ne duhet të besojmë në organet tona të sigurisë, pavarësisht nga përvojat jo të mira nga e kaluara. Nuk është mirë që kemi këso informacione, por shpresojnë se organet e sigurisë do të bëjnë punën e tyre për të sqaruar rastin”.
Ai thotë se policia e Kosovës është në kontakt me Abdixhikun atë dhe kolegët e tjerë të LDK-së që janë kërcënuar.
“Është në duar në Policisë së Kosovës shtjellimi i rastit. Ne jemi institucionalista dhe presim të shohim se çfarë do të hetojnë”.
Zemaj thotë se rasti është informuar gjatë 24 orëve të fundit.
“Është e frikshme që ekziston një mendësi në Kosovë që dikush duhet të eliminohet politikisht, vetëm pse mendon ndryshe në aspektin politik…Nuk i kemi hak askujt”.
Ai thotë se për fat të keq ka një urrejtje patologjike ndaj LDK-së.
Nga Policia kanë thënë se kanë marrë masat e nevojshme lidhur me këtë rast.
Medie të tjera kanë raportuar se në përgjime del se si caqe të atentatit janë përmendur edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe deputetja Ganimete Musliu.