Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar masa ligjore për ata që s’respektojnë masat kundër COVID-19. Thotë se do të veprohet “me forcën e ligjit”, kur ka folur për masat e ndërmarra kundër pandemisë COVID-19 dhe moszbatimin të tyre.
Përmes Facebookut, Zemaj njofton se Inspektorët sanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) dhe Inspektorët Komunal do të veprojnë me forcën e ligjit kundër atyre që nuk respektojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër Covid-19.
“Rekomandimet parandaluese për Covid-19 të IKSHPK përfshijnë 22 masa të veçanta, që patjetër duhet të respektohen. Pikërëndesë kryesore është se BARTJA E MASKAVE TË JETË OBLIGATIVE”, shkruan Zemaj.
Thotë se masa të tjera të veçanta që parashihen janë edhe: distanca fizike, dezinfektimi, ajrosja e lokaleve, higjiena, dhe masa të tjera të detajuara për punonjësit, zyrat, institucionet dhe bizneset.
“Inspektorët përkatës në terren çdo ditë do të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe do të merren masa përgjegjëse në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar. Çdo shkelje e rregullave nga kushdo qoftë që do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Dhe do të merr përgjigjen ligjore”, shkruan ministri Zemaj.