Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot ka nënshkruar plotësim-ndryshimin e udhëzimit administrativ nr. 04/2020-Kujdesi Parësor Shëndetësor, me të cilin përcaktohen institucionet publike të KPSh, standardet e organizimit, funksionimi, veprimtaritë, shërbimet shëndetësore si dhe kuadrot profesionale për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në KPSh, si pjesë e sistemit unik shëndetësor në Republikën e Kosovës.
Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se e veçanta e këtij udhëzimi është se më këtë plotësim-ndryshim, institucioneve shëndetësore publike të Kujdesit Parësor Shëndetësor, në kuadër të shërbimeve laboratorike u mundësohet kryerja e testeve diagnostike rapide (të shpejta) për detektimin e antigjenit për SARS COV-2. (diagnostikimin e COVID-19).
Kjo nënkupton se krahas testimeve serologjike për praninë e IgG dhe IgM, të cilat janë lejuar më herët në institucionet publike të KPSh-së, tash e tutje mund të kryhen edhe testet diagnostike rapide të antigjenit SAR COV.