Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur në konferencë për media rreth përgatitjeve për gripin sezonal dhe fillimin e procesit mësimor më 14 shtator në të gjitha shkollat në vend.
“Jemi në përgatitje edhe për vaksina që vjeshta dhe dimri të mos na gjejë të papërgatitur. MSH do t’iu ofrojë institucioneve të rendit një udhëzues praktik për vendet ku duhet të barten maskat dhe ku jo, për të ruajtur qytetarët, pasi ka pasur ankesa që të saktësohen rreth bartjes së maskave. MASH po angazhohen me komunat që të angazhohen për një vit të ri shkollor ndërkohë që MSH dhe IKSHPK po asiston me protokolle dhe udhëzues të nevojshëm dhe testim të personelit arsimor”, ka thënë Zemaj, njofton KSP.
Infektologu, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se rënia e numrit të rasteve me COVID-19 po reflektohet edhe me rënien e pacientëve të shtrirë nëpër klinika në QKUK.
“Sot në klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale janë 381 pacientë të shtrirë prej tyre 243 në oksigjenoterapi, ndërkohë që gjendja e tyre vazhdon të jetë ende e rënduar. 27 prej tyre janë në gjendje kritike të kyçur në respitarorë, pesë prej tyre janë të intubuar dhe 22 janë në metodën e asistimit artificial të frymëmarrjes. Përkundër trendit të lehtë të uljes së rasteve të reja, ky numër vazhdon të jetë ende i lartë për institucionet tona shëndetësore”, ka thënë ai.
Ai tha se nga java e kaluar nuk ka pacientë të neurologji dhe njësinë intensive të kujdesit të sportives, teksa nga sot nuk do të ketë më pritje në rezonancën magnetike.
“Nga sot nuk ka pritje në rezonancën magnetike dhe qëllimi ynë është që të mos përsëriten pritjet për një shërbim. Kemi kërkuar nga klinikat që të na sigurojnë listat për pacientët për shërbimet e tjera, në mënyrë që të eliminohen listat e pritjes deri në shuarjen e tyre të plotë”, u shpreh ai.