Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur të enjten se sistemit shëndetësor në Kosovë do t’i shtohen 1500 specializantë.
Ai ka thënë se ka qenë synim i tij që të zgjidhë atë që e ka konsideruar problem me specializime, proces “që i ka munguar Kosovës pothuajse për pesë vjet”.
“Në konkurs kanë aplikuar mbi 1,500 mjekë, nga ta 1,310 janë intervistuar, ndërsa 1,230 janë pranuar”, ka deklaruar Zemaj.
Sipas tij mbi 400 prej tyre do të financohen nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa të tjerë do të jenë të angazhuar kështu:
-225 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës
-180 në spitalet e përgjitshme
-88 në kujdesin parësor
-45 nga Lugina e Preshevës dhe
-28 në institucione private shëndetësore.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka shtuar së fundmi edhe 400 mjekë tjerë në procesin e specializimit duke rrumbullakuar shifrën prej 1,500 specializimeve.
“Jam i lumtur sepse kemi thyer bllokadën e pakuptueshme dhe u kemi dhënë mundësinë rreth 1,500 mjekëve të përgjithshëm, të të gjitha profileve që të bëhen pjesë e konkurencës duke filluar specializimin”, ka deklaruar ai.
Zemaj ka thënë se Ministria e Shëndetësisë tash e tuje do të hapë konkurs për specializantë çdo vit.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, që ka qenë pjesë e konferencës për media, e ka konsideruar lajmin për nisje të specializimeve si “hapin më të madh në shëndetësi në katër pesë vjetët e fundit, për të krijuar kapacitetet e nevojshme në institucione shëndetësore”.