Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se forcat ruse janë përballur me “humbje të pariparueshme” që nga fillimi i agresionit të tyre 48 ditë më parë.
“A ju kujtohet sesi Rusia mburrej se do të pushtonte Kievin për 48 orë? Në 48 orë, që zgjatën për 48 ditë, ushtria ruse arriti një nivel humbjesh të pariparueshme më të larta se Bashkimi Sovjetik gjatë dhjetë viteve të luftës në Afganistan”, ka thënë Zelensky në një adresim të fundit përmes videos.
Plani fillestar i Rusisë për të sulmuar kryeqytetin ukrainas Kiev, kur agresioni filloi për herë të parë më 24 shkurt, u bllokua pasi trupat e saj pësuan humbje të mëdha.
Analistët thonë se Moska e nënvlerësoi forcën e rezistencës dhe aftësitë e forcave më të vogla të armatosura të Ukrainës.
Rusia gjithashtu ka luftuar me gjërat bazë. Kolonat me mjete të blinduara kanë mbetur pa karburant, ushqim dhe municione. Automjetet janë prishur dhe janë lënë të braktisura, më pas janë tërhequr nga traktorët ukrainas.
Si pasojë, forcat ruse tani janë tërhequr plotësisht nga kryeqyteti Kiev dhe po “rindërtojnë” forcat e tyre ushtarake në rajonet lindore të Donetsk dhe Luhansk.