Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se potenciali rus po harxhohet dhe se ai më nuk është përcaktues.
Nëpërmjet një videomesazhi, Zelensky tha të martën se Ukraina po e thyen “ushtrinë e dytë të botës”, e sipas tij, nga tani e tutje, Rusia nuk do të jetë shtet diktues.
“Rusia nuk do të jetë më kurrë një subjekt që mund t’i diktojë diçka dikujt. Nuk ka më potencial për të diktuar. Bota e sheh atë. Potenciali rus po harxhohet tani në këtë çmenduri – në një luftë kundër shtetit tonë dhe gjithë botës së lirë. Kishte ndikim gazi, jo më. Kishte ndikim ushtarak, po avullohet. Kishte peshë politike, tani ka një izolim në rritje. Kishte ambicie ideologjike, tani ka vetëm neveri”, tha ai, në mesazhin e publikuar në Facebook në mesnatën e së hënës dhe të martës.
Presidenti ukrainas u shpreh se për 8 muaj luftime, Ukraina ka mbrojtur pavarësinë e shtetit dhe këtë Rusia “nuk mund ta ndryshojë”.
Ai paralajmëroi edhe çlirimin e Donbasit, Kharkivit, Khersonit, Zaporizhzhias dhe Krimesë, që është aneksuar më 2014 nga Rusia.