E mërkura e 28 shkurtit sjell presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe disa liderë të Evropës juglindore në kryeqytetin e Shqipërisë, me ftesë të kryeministrit Edi Rama, për mbajtjen e Samitit për Ukrainën.
Ai ka mbërritur në Tiranë pak para mesnatës, sipas ministrit shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Kjo do të jetë vizita e parë e Zelenskyt në Tiranë, e cila vjen pak ditë pasi u bënë dy vjet prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Gjatë pjesëmarrjes në ekspozitën “Ukraina, një krim lufte” në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Tiranë, Rama tha se, përveç pranisë si “bashkorganizator” në samit, Zelensky do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me liderë politikë të Shqipërisë.
Takimet me ta do të zhvillohen para samitit, që do të nisë në orën 11:30.
Në delegacionin e Ukrainës do të bëjë pjesë edhe ministri i Jashtëm i vendit, Dmytro Kuleba.
Çfarë është Samiti për Ukrainën?
Këtë samit, Rama e kishte paralajmëruar qysh më 22 janar, gjatë pjesëmarrjes në konferencën “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, që ishte mbajtur në Shkup të Maqedonisë Veriut.
Atëkohë, ai kishte thënë se në të do të flitej për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.
Sipas agjendës që u publikua, Rama dhe Zelensky pritet të mbajnë fjalime hapëse dhe pastaj një takim prapa dyerve të mbyllura.
Samiti do të përmbyllet me daljen e tyre në një konferencë për media.
Kush do të marrë pjesë?
Përveç Ramës e Zelenskyt, pjesëmarrës do të jenë edhe disa liderë të shteteve të Evropës juglindore dhe komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhleyi.
Kosovën në këtë samit e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.
Siç merret vesh, të pranishëm do të jenë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto, dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.
Liderë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi – pritet të qëndrojnë në Tiranë edhe të enjten.
Më 29 shkurt, në kryeqytetin shqiptar do të zhvillohet samiti rajonal për planin e rritjes dhe integrimin më të shpejtë në BE.
Edhe në këtë samit do të marrë pjesë komisionari i BE-së, Varhelyi.