Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të premten se ukrainasit duhet të jenë krenarë që kanë mbijetuar 50 ditë nën sulmin rus, raporton Sky News.
Zelensky e përshkroi këtë si “një arritje e miliona ukrainasve, e të gjithëve që më 24 shkurt morën vendimin më të rëndësishëm të jetës së tyre – të luftonin”.
Ai tha gjithashtu se i kujtohet dita e parë e pushtimit kur liderët perëndimorë e këshilluan të ikte nga Ukraina, duke shtuar se “ata nuk e dinin se sa guximtarë janë ukrainasit, sa e vlerësojmë lirinë dhe mundësinë për të jetuar ashtu siç duam”.
Gjatë fjalimit të tij Zelensky përmendi një listë të gjerë të pikave se si ukrainasit ndihmuan për të shmangur trupat ruse, duke përfshirë “ata që treguan se luftanijet ruse mund të lundrojnë larg, edhe nëse janë në fund të detit” – duke iu referuar luftanijes “Moskva” e cila të enjten u fundos si pasojë e sulmit për të cilin Ukraina pretendon se e ka kryer ndaj saj.