Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka bërë një video-adresim në samitin e Këshillit Evropian në Bruksel.
Ai ka theksuar shkatërrimin dhe dëmet që ka shkaktuar pushtimi rus në shtetin e tij, dhe ka falënderuar Evropën që është bashkuar në mbështetje të Ukrainës.
Më pas, ai u ka thënë hapur liderëve evropianë se kanë vepruar shumë vonë për të ndalur Rusinë.
“Ju keni vënë sanksione. Ne u jemi mirënjohës. Ata janë hapa të fuqishëm”.
“Mirëpo ka qenë pak vonë… ka pasur mundësi”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse do të kishte sanksione parandaluese, ndoshta Rusia nuk do të niste luftën.
Ai ka përmendur edhe projektin e gazsjellësit, Rrjedha Veriore 2, duke thënë se nëse do të bllokohej më herët, “Rusia nuk do të krijonte krizë të gazit”.
Ai më pas u ka bërë thirrje liderëve të bllokut evropian që të mos vonohen në shqyrtimin e kërkesës së Ukrainës për t’u bërë pjesë e bllokut evropian.
Në javët e fundit, Zelensky ka bërë disa fjalime para parlamenteve nëpër botë dhe nuk është frikësuar për të kritikuar Perëndimin për atë që e konsideron dështim për të ofruar më shumë mbështetje.