Ndonëse Kosova ka shkallën më të ulët të borxhit publik, krahasuar me vendet e rajonit, rritja mund të bëhet pa asnjë problem.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), Arian Zeka, deklaroi se me ligjin aktual të borxhit publik Kosova mund ta rrisë atë deri në 40 për qind të bruto produktit vendor.
“Me ligjin aktual të borxhit publik Kosova mund ta rrisë borxhin deri në 40 për qind të bruto produktit vendor. Momentalisht sa e di unë është 18 për qind, që do të thotë se hapësira për rritje të borxhit publik është goxha e madhe. E mira është se ne kemi hapësirë për rritje të borxhit publik por duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në këtë aspekt”, tha ai.
Sapas tij, vonesat në disbursimin e mjeteve të premtuara nga ana e shtetit, shumë kompani i ka lënë në mëshirë të fatit dhe me humbje marramendëse.
“Disa prej tyre iu janë akomoluar edhe detyrimet qofshin kreditore ose detyrime tjera operacionale dhe të cilat natyrisht është pritur që do të kryhen pas lehtësimit të masave kufizuese. Prandaj vonesat në disbursimin e mjeteve të premtuara nga ana e shtetit i lë këto kompani në gjendje të vështirë, sa i përket likuiditetit por tashmë janë me detyrime të reja të krijuara pas rinisjes së punës. Qasja në financa ka qenë problematike në këtë vend, prandaj ne kemi insistuar në përkrahje të shpejtë për këto ndërmarrje”, tha ai për EO.
“Pra ky është problemi kryesor, pamundësia e këtyre kompanive që të nisin, por në anën tjetër kemi një problem tjetër që lidhet me nivelin e reduktuar të të hyrave të punonjësve përgjatë këtyre muajve, e që ka të bëjë me konsumin e ulët. Disa prej ndërmarrjeve që kanë vazhduar punën, vazhdojnë të ballafaqohen me telashe sa i përket të të hyrave, rrjedhimisht për shkak të konsumit relativisht të ulët”, u shpreh ai.
Teksa ka folur për humbjet nga pandemia, shqetësim mbetet shuma e ofruar nga pakoja emergjente fiskale dhe vonesat në këtë drejtim.
Zeka thotë se këto humbje ka qenë dashur të bëhen proporcional me dëmin që iu është shkaktuar këtyre ndërmarrjeve.