Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se Pakoja Emergjente Fiskale e Qeverisë, nga këndvështrimi i sektorit privat, nuk përmbush as për së afërmi nevojat e tyre të prekura nga koronavirusi.
Sipas Zekës, ndërmarrjet thonë se shuma e paraparë për ta nuk është proporcionale me dëmin që u është shkaktuar si pasojë e pandemisë.
“Por, ajo që është ofruar është realja e shtetit. Në OEAK kemi thënë se jemi të vetëdijshëm për kufizimet buxhetore që ka Kosova dhe në këtë situatë të gjenden mënyrat e financimit. Nga një anketë, vetëm 8 për qind e tyre mendojnë se kjo pako i adreson sa duhet nevojat e tyre. Pjesa tjetër thonë se i plotëson mesatarisht apo aspak nevojat e tyre”, ka thënë Zeka në emisionin “Raport” në KTV,.
Ndërkaq, zëvendësministri në detyrë i Financave, Ilir Aliu tha se qeveria i ka paraparë dy faza të qasjes së problemit me koronavirusin.
“Faza e parë është emergjenca. Në fazën e dytë do të bëhet një pako tjetër që do të merret me rimëkëmbjen ekonomike që do t’i adresojë çështjet e përmendura nga Zeka. Pra janë dy faza, e emergjencës dhe e rimëkëmbjes. Në fazën e parë, e dimë se ka probleme të shumta, njerëzit nuk punojnë, u përgjysmohen pagat, si dhe u dedikohet njerëzve që janë të përfshirë direkt në luftën kundër COVID-19. Në fazën e dytë do të kyçen të gjitha bizneset, dhe as korporatat nuk do të jenë të përjashtuara. Pakoja veçse ka filluar të implementohet. Mbi 500 kërkesa kanë qenë të paraqitura në ATK deri më sot”, tha Aliu.
Ai shtoi se gjatë hartimit të kësaj pakoje e kanë kërkuar mendimin e odave për problemet e bizneseve.
“Ka pasur kërkesa që punëtorët të paguhen deri në afër 400 euro, por më shumë s’mund të bëjmë. Kapacitetet janë të këtilla me këtë pako”, theksoi ai.
Ndërkaq, për Pakon Emergjente Fiskale të propozuar nga PDK-ja, Aliu tha se kjo është “për të ardhur keq që ka lëvizje të këtilla”.
“Këto bëhen ose me tendenca politike, por mund të jenë edhe kritika, të cilat janë të mirëseardhura. Por, unë nuk e di se me çfarë të drejte dikush mund të imponojë një pako në qeveri, sepse dihet se kujt i takon të bëjë pakon. Ka propozime shumë, por a do të thotë kjo që t’i grumbullojmë të gjitha e t’i vendosim në votim? Pakot i dizajnon qeveria”, u shpreh Aliu.
Ndërkaq Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se gjendja aktuale politike në vend është e dhimbshme duke e pasur parasysh situatën në të cilën po kalojmë.
“Është e pakuptimtë të kemi edhe një krizë politike në rrethanat e tilla. Duhet të ulen flamujt e të gjithë hisedarëve politikë, por jo vetëm dhe të mundohen që bashkë të gjejnë modalitete që do të ndihmonin në tejkalimin e kësaj gjendjeje. Përdorimi i këtyre kauzave, qoftë për ndihmë të sektorit privat, është i paskrupullt në këtë situatë dhe më vjen keq që jam kaq direkt, por t’i dëgjosh në këtë situatë diskutime të nivelit të tillë është e pakuptimtë. Ne së bashku me OEK kemi pasur takime me grupet parlamentare dhe kemi kërkuar që të gjenden modalitete konsensuale që të gjithë hisedarët politikë të zgjedhur, ose që janë pjesë e qeverisë, të marrin në konsideratë rekomandimet e odave, të hartojnë një program të përbashkët i cili na mundëson ta tejkalojmë këtë krizë me lehtësi sa më të madhe ose që do ta bënin rikuperimin e të gjitha dëmeve në ekonomi më pak të kushtueshëm. Kur e përmendim koston, nuk ju referohemi vetëm burimeve financiare, por edhe kohën. Po flitet nga institucionet ndërkombëtare financiare se rikuperimi mund të marrë deri në gjysmën e vitit 2021 për një vend që ka ekonomi të brishtë, siç është Kosova, por druaj se kjo do të shkojë deri në fund të vitit 2021. Gjithçka do të varet nga dinamizmi me të cilin veprojmë tash”, u shpreh Zeka.
Ai tha se janë marrë parasysh rekomandimet e odave në hartimin e Pakos Emergjente Fiskale.
Aliu tha se masat në Pakon Emergjente janë ndërmarrë për 2 muajt e ardhshëm, dhe se kjo pako i adreson të gjitha problemet e emergjencës.
“Duhet të ruhet likuiditeti që kur ta kalojmë emergjencën, të kemi hapësirë të veprojmë. Në pakon e PDK-së, po harrohet që shtetit të hyrat i janë ulur për 200 milionë dhe edhe pakoja është 190 milionë, që gjithsejtë janë 390 milionë euro. Për balancin bankar që e ka përmendur edhe Bedri Hamza, nuk qëndron. Balanci bankar në vitin 2019 ka përfunduar me 458 milionë euro, por ajo që s’po e thotë zotëri Hamza është se nga ato, 97 milionë janë para të lidhura për projekte të caktuara që s’mund të përdoren. Pra, balanci bankar bie për 97 milionë, dhe kur ia shtojmë edhe 129 milionë euro, bie në rreth 232 milionë dhe pastaj vihet në pyetje likuiditeti. Pastaj, çfarë do të bëjmë nëse zgjat më shumë kjo krizë? Pikërisht për shkak të këtij planifikimi, kemi dalë me këtë pako. Pakoja do të ekzekutohet sepse është e domosdoshme. Është e analizuar shumë mirë kjo pako. Pretendimet se të gjithëve duhet t’u japim nga 100 euro, janë vendime populiste”, potencoi zv/ministri i Financave.