Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka thotë se më shumë gjasa ka të formohet një qeveri e re, sesa të shkohet në zgjedhje të reja. Zeka thotë se sipas të gjitha gjasave kryeministër i ri i Kosovës do të jetë Avdullah Hoti.
Ai thotë se këtë ia mundëson Kushtetuta e Kosovës dhe nenet që kanë në diskrecion të interpretimit të Presidentit.
“Do të ketë një qeveri tranzitore. Këtë qeveri do ta formojnë LDK, AAK, NISMA dhe minoritetet. PDK, edhe pse do të qëndrojë në opozitë, ka mundësi që do të mbështesë këtë koalicion me disa deputetë”, ka thënë Zeka në RTV Dukagjin.
Sipas tij, qëndrimi absolut i Vetëvendosjes është për zgjedhje të reja, ndërsa sipas tij qëndrimi opozitar i Kadri Veselit është vlerësuar në opinion.
“Kadri Veseli e kishte një mundësi të madhe që ditën e votimit të mos votonte mocionin në këtë kohë. Ndërsa Vjosa Osmani e kishte mundësinë e artë të kalonte në Vetëvendosje”, theksoi Milaim Zeka.