Për të pestën herë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë dështuar që ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Në seancën e fundit morën pjesë në votim vetëm 48 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj është bartur për seancën e radhës.
Sipas përfaqësueseve të biznesit, mosmiratimi i këtij Projektligji është mungesë e mirëkuptimit të nevojave të sektorit privat.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Kosovës, Arian Zeka tha për Telegrafin se përgjegjësia për mosmiratimin e Projektligjit për Rimëkëmbje rëndon mbi deputetët e partive politike që drejtojnë ekzekutivin.
“Mungesa e kuorumit për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike për herën e pestë tregon mungesën e mirëkuptimit për nevojat e sektorit privat dhe vendimmarrjes më të shpejtë për sa i përket kornizës ligjore për rimëkëmbjen ekonomike pas shpërthimit të pandemisë COVID-19. Dhe derisa sektori privat do të donte të shihte konsensus më të gjerë politik, duhet theksuar se përgjegjësia për kalimin e Projektligjit rëndon mbi deputetët e partive politike që drejtojnë ekzekutivin”, tha Zeka.
Ai shton se, Qeveria duhet të reflektojë dhe të marrë në konsideratë shqetësimet dhe vërejtjet.
“Mosaprovimi i Projektligjit pamundëson rritjen e pragut për lëshimin e garancive kreditore deri në 80 për qind, që do të lehtësonte në masë të madhe edhe qasjen në financa në periudhën pas COVID-19, masë kjo e cila është prezantuar edhe nga Qeveria paraprake. Në të njëjtën kohë, pamundësohet rregullimi ligjor i shtyrjes së obligimeve tatimore, si dhe heqja e ndëshkimeve administrative, kërkesë kjo e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë. Për të shmangur degradimin e mëtejmë të kësaj nisme ligjore ashtu si edhe vonesat në zbatimin e masave të rimëkëmbjes, është e nevojshme që Qeveria të reflektojë dhe të marrë në konsideratë edhe shqetësimet dhe vërejtjet e të gjithë deputetëve dhe hisedarëve të tjerë, edhe jo politik, për një projektligj gjithëpërfshirës”, shtoi ai.
Ky Projektligj, po ashtu nuk kishte marrë votat në lexim të parë as në muajin gusht, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ta votojnë ndonëse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.
Ky Projektligj, parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.