Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha mes tjerash se në këtë situatë të pazakontë në të cilën po kalon Kosova, nevojitet një veprim i shpejtë dhe i përgjegjshëm i institucioneve. Prandaj, sipas tij, cenimi i stabilitetit politik do të kishte ndikim të madh si dhe do të ketë pasoja të parikuperueshme në të ardhmen.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Zeka, në Kosovë është shpallur gjendje emergjente e shëndetit publik, për shkak të përhapjes se koronavirusit që përcillet me sëmundjen Covid-19. Qytetarët dhe shumë biznese në këtë situatë në një formë janë izoluar. Sa ka mundësi Kosova në aspektin ekonomik të përballet me këtë gjendje?
Arian Zeka: Kosova ka një ekonomi të brishtë, pavarësisht rritjes stabile që e ka pasur përgjatë viteve. Kjo do ta bëjë më të vështirë rikuperimin pas përfundimit të gjendjes emergjente në të cilën vendi, por edhe tërë globi po kalon për momentin.
Duhen marrë masa të menjëhershme për zbutjen e ndikimit goditës në ndërmarrjet private dhe në ekonominë e vendit në përgjithësi. Pavarësisht se ndikimet negative vihen re në të gjithë sektorët e ekonomisë, ka disa sektorë të cilët janë goditur në mënyrë më të ashpër, për shkak se masat parandaluese për përhapjen e virusit kanë kufizuar në tërësi punën e tyre.
Radio Evropa e Lirë: Qytetarët po vazhdojnë të blejë dhe grumbullojnë rezerva të ushqimeve. A keni biseduar me afaristët se sa ka rezerva dhe a mund të paraqitet ndonjë situatë shqetësuese në këtë aspekt?
Arian Zeka: Ndërmarrjet tregtare dhe prodhuese japin informata premtuese se pavarësisht vështirësive në zinxhirët e furnizimit, stoqet e produkteve ushqimore dhe të artikujve të tjerë esencialë janë të kënaqshme. Prandaj, qytetarëve u bëhet thirrje që të shmangin panikun dhe të kufizojnë blerjet në përputhje me nevojat e tyre. Është herët të flitet për rrjedhën e mëvonshme të furnizimit dhe gjithçka do të varet nga shtrirja e pandemisë COVID-19.
Radio Evropa e Lirë: Oda Ekonomike Amerikane së bashku me shoqatat tjera ekonomike kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës masa lehtësuese për biznese. Ku qëndron rëndësia e atyre masave dhe cilat do t’i veçonit si më të domosdoshme për momentin?
Arian Zeka: Është e nevojshme të ruhen aktivitetet ekonomike dhe qarkullimi i parasë së gatshme, meqë kufizimi i likuiditetit të ndërmarrjeve do të bëjë që shumë prej tyre të pësojnë kolaps të menjëhershëm, e tek të tjerat, rikuperimi do të ketë kosto të lartë. Prandaj, kemi kërkuar nga Qeveria që të shtyjë deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore, ashtu që të mos rritet ngarkesa financiare mbi ndërmarrjet.
Është e nevojshme që në periudhë sa më të shpejtë, Qeveria të dalë me një program likuiditeti që do të mundësojnë një infuzion financiar tek ndërmarrjet e prekura. Kjo do të ndihmonte edhe punonjësit e afektuar më se rëndi si pasojë e kufizimit të disa aktiviteteve ekonomike. Është për të mirëpritur reagimi proaktiv i bankave komerciale të cilat kanë pranuar që të aplikojnë lehtësira për ndërmarrjet të cilat mund të kenë vështirësi në përmbushjen e detyrimeve të tyre kreditore.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndikimi do të këtë kjo situatë në tregun e punës, dhe a prisni të ndikojë në çrregullimin e tregut të punës pasi jo të gjithë punëdhënësit do paguajnë punëtorët për ditët e humbura?
Arian Zeka: Masat fillestare të vendosura nga qeveria për të parandaluar përhapjen e virusit kanë pasur ndikime të menjëhershme në tregun e punës. Nga shumë ndërmarrje është raportuar për refuzim të punonjëseve që të dalin në vendin e punës. Kjo situatë është shkaktuar edhe nga interpretimi i gabuar i vendimeve të qeverisë për organizimin e punës nga shtëpia, aty ku kjo është e mundur.
Duhet theksuar që në shumë sektorë, të punuarit nga shtëpia është praktikisht i pamundur. Të tillë janë sektorët e ndërtimit, prodhimit, tregtisë si dhe shërbimeve financiare. Në anën tjetër vendimi për ndalimin e transportit ndërurban, ka shkaktuar telashe në lëvizjen e punonjësve drejt vendeve të punës. Ky vendim ka kufizuar në fillim edhe organizimin e transportit për nevoja të brendshme të kompanive.
Njëra ndër kërkesat e para të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka qenë për qartësimin e vendimeve ashtu që të shmanget çfarëdo konfuzioni gjatë zbatimit të tyre. Është e nevojshme që punonjësit të respektojnë marrëdhëniet e tyre të punësimit, derisa ndërmarrjet sugjerohen të aplikojnë të gjitha masat e parapara për ruajtjen e shëndetit të punonjësve.
Radio Evropa e Lirë: Sa mund të ndikojë situata e krijuar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik kur kemi parasysh se shumë industri janë mbyllur?
Arian Zeka: Përgjigja më e saktë do të varet nga rrjedha e situatës rreth pandemisë COVID-19. Për momentin ajo që mund të thuhet është se pasojat do të jenë të rënda, dhe në asnjë rrethanë nuk mund të presim të realizohet parashikimi i institucioneve të vendit për rritje ekonomike. Aftësia e veprimit e institucioneve tash gjatë situatës emergjente ose edhe pas kalimit të saj do të përcaktojë edhe nivelin e përgjithshëm të dëmeve në ekonomi.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Zeka ditëve të fundit ka ndryshuar edhe situata politike në vend. Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka paraqitur një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë se udhëhequr nga Albin Kurti. Sa mund të ndikojë kjo në këtë situatë, nëse mund të quajë të pazakonshme?
Në këtë situatë të pazakontë në të cilën po kalon Kosova, nevojitet një veprim i shpejtë dhe i përgjegjshëm i institucioneve. Kjo nënkupton edhe një koordinim më të madh ndërmjet institucioneve të nivelit qendror, por edhe me ato të nivelin komunal, të kujdesit shëndetësor, të sigurisë e me hisedarët e tjerë politikë dhe jopolitikë. Prandaj, cenimi i stabilitetit politik do të kishte ndikim të madh në ato që i ceka më herët, si dhe do të ketë pasoja të parikuperueshme në të ardhmen.