Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi i është kundërpërgjigjur Albulena Haxhiut të Vetëvendosjes sa i përket ofertës që partia e Albin Kurtit ia ka bërë sot PDK-së për bashkëpunim në rrëzimin e qeverisë Hoti.
Bytyçi ka shkruar në faqen e tij në Facebook se është e çuditshme sa shpejt e tradhton veten Lëvizja Vetëvendosje.
Deklarata e plotë e zëdhënësit të PDK-së, Avni Bytyçi:
Edhe Albulena Haxhiu paska kërkuar bashkëpunim me PDK-në. E çuditshme sa shpejt e tradhton veten Lëvizja Vetëvendosje. Për t’i arritur qëllimet e tyre politike, i harrojnë të gjitha dhe ua fusin shqelm “parimeve” të tyre.
LVV, e cila sa ishte vetë në pushtet thoshte se askund në botë nuk ndodh të rrëzohet një Qeveri në kohë pandemie, sot po kërkon rrëzimin e Qeverisë duke qenë Kosova në valën më të madhe të pandemisë.
Kaq sa për hipokrizinë e tyre.
E për bashkëpunimin e kërkuar nga PDK edhe një herë: ku ju mbetën vijat e kuqe?