Zëdhënësi i PDK-së i reagon Kurtit: Specialen nuk e themeloi PDK-ja, ju keni thënë se UÇK-ja ka kryer krime lufte

Deklaratat e kreut të Lëvizjes Vetëvendendosje, Albin Kurtit, se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e themeluan Gjykatën Speciale dhe se partia të cilën e udhëheq ai është i vetmi subjekt politik që mund t’i mbrojë veteranët e UÇK-së, ka nxitur reagimin e PDK-së.

Zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyçi, tha se Specialja nuk u themelua nga PDK-ja, por u votua nga ajo për shkak se kjo, sipas tij, ishte zgjedhja më e mirë. 

“Jo z.Kurti, Gjykatën Speciale nuk e themeloi PDK-ja. Ajo ishte iniciativë e një ish-zyrtari të shërbimit rus në Këshillin e Evropës, me ndihmën e Dick Martit edhe te Karla Del Pontes, duke u mbështetur në dëshmi të fabrikuar nga Serbia, edhe të disa ndërkombëtarëve të komprometuar dhe “dëshmive” e deklaratave të llojit të disave që flasin shqip, e që thonin se UÇK-ja kishte kryer krime. PDK e votoi Gjykatën sepse i kishin dy mundësi, o ta bënim vet, o Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ta themelojë me një rezolutë, veprim ky që do ta kishte dëmtuar imazhin e drejtë të luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar ai në Facebook. 

Madje, Bytyçi ia kujtoi Kurtit, se në kohën kur ai ishte kryeministër, këshilltari i tij, Shkëlzen Gashi, deklaroi publikisht se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte. 

“Në rastin tënd, ju në kohën sa ishit kryeministër edhe këshilltari juaj, Shkëlzen Gashi, publikisht keni thënë se UÇK-ja kishte kryer krime. Nuk kam dyshim duke u bazuar në deklaratat që i keni thënë se për ju ka qenë më mirë një tribunal ndërkombëtar kundër UÇK-së e luftës së saj dhe popullit të Kosovës sesa vetë një gjykatë brenda sistemit tonë juridik që i heton pretendimet e Serbisë edhe të juajat se UÇK ka kryer krime. Sa ishit kryeministër, nuk i mbrojtët ushtarët e lirisë siç pate thënë në Kuvend, besa as Rexhep Selimin që e morën edhe e intervistuan. Siç duket edhe në opozitë zëri për UÇK-në disi ju ka humbur”, ka vazhduar ai. 

Zëdhënësi i PDK-së e quajti liderin e LVV-së sharlatan e demagog, i cili, sipas tij, për hir të përfitimeve politike paturpësisht e sulmon edhe UÇK-në edhe luftën e saj në këtë kohë.

“Sharlatanë të tillë, historia i harron shpejtë, për këtë arsye edhe ky komb nuk do t’ju mbajë në mend për diçka, përpos për urrejtjen që keni ndaj çdo gjëje dhe çdo njeriu që nuk mendon e vepron si ju. Edhe mos u shqetëso z. Kurti, se dhe këtë betejë do ta fitojmë, sepse drejtësia është në anën tonë, kuptohet, pa ju si gjithnjë”, ka përfunduar ai.