Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Avni Bytyçi ka thënë sot se me dezertimin në votim për Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së, nuk mbeti keq luftëtari i UÇK-së, as UÇK-ja, por se LDK dhe LVV i dhanë një fitore të shkëlqyer Vuçiqit dhe Serbisë.
Bytyçi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se LDK po tregon se është parti drejtë shuarjes, pa koncept, pa guxim, pa ide për të ardhmen, ndërsa LVV, solide në qëndrimin e vet konstant të manipulimit përfitues politik, noton në këtë amulli dhe degradim, duke treguar se jo vetëm nuk qëndron për asgjë, por kur bëhet fjalë për Serbinë.
Lexoni të plotë postimin:
“Dje në Kuvend, me “dezertimin” në votim për Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së, nuk mbeti keq luftëtari i UÇK-së, as UÇK-ja.
LDK dhe LVV i dhanë një fitore të shkëlqyer Vuçiqit dhe Serbisë!
Jo vetëm kaq.
Ishte inkurajim për Serbinë dhe Vuçiqin, për gjendjen ku ndodhet sot Kosova, mu para ballafaqimit final me Serbinë!
LDK, po tregon se është parti drejtë shuarjes, pa koncept, pa guxim, pa ide për të ardhmen. E mbetur peng në arkaizmin e mllefit dhe viktimizimit para UÇK-së, edhe mbi dy dekada pas luftës.
Ajo po mendon se mund të përfitoj pafundësisht nga kjo dhe ta mbaj peng të saj qytetarin e ri, duke u viktimizuar, gjithmonë duke akuzuar, por edhe duke synuar të përfitojë pikërisht meritokraci nga frytet e luftës çlirimtare për liri.
Ndërsa LVV, solide në qëndrimin e vet konstant të manipulimit përfitues politik, noton në këtë amulli dhe degradim, duke treguar se jo vetëm nuk qëndron për asgjë, por kur bëhet fjalë për Serbinë.
Albin Kurti “çuditërisht” humbi shkëlqimin “radikal”, pikërisht për këtë temë. Kështu bëri edhe sa ishte në qeveri. Dje, këtë e përsëriti ai me partinë e tij në Kuvend.
Ai vetëm sa po dëshmon, sa i dobët, peng dhe frikacak është para Serbisë. “Ujk” me shqiptarët, ndërsa dele me Serbinë!
Nga sjellja e djeshme politike, i vetmi që nuk duhet të shqetësohet është luftëtari i vërtetë i UÇK-së, që ka kryer një mision të madh historik. Por, duhet të shqetësohen të tjerët, edhe numrat e fryrë të “veteranëve”.
Me sjellje të tilla, a po e inkurajon dikush të keqën historike të ri përsëritet?”.