Këngëtari i njohur shqiptar, Robert Berisha, po e vazhdon karantinimin në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, që pas ardhjes së tij nga Turqia, pak ditë më parë.
Përkundër faktit që në ditët e para shprehu revoltë ndaj kushteve të konviktit, ai mbrëmjen e së premtes kërkoi falje përmes rrjeteve sociale, duke thënë se kushtet e karantinës janë të përballueshme.
I njëjti u lajmërua sërish në Instagram këtë të shtunë, duke publikuar një sërë videosh në InstaStory drejtuar me falënderime për Qendrën e Studentëve dhe profesionistët e mantelit të bardhë, që po iu qëndrojnë afër të gjithë të karantinuarve në konvikte këto ditë.
“Përshëndetje nga Prishtina, një pamje të bukur e kemi prej ballkonit të konvikti Nr.8. I përshëndes të gjithë studentët, special ‘Qendrën e Studentëve’ që vullnetarisht po na sjellin ushqim çdo ditë kurrë pa ndalë, edhe normalisht një falënderim shumë i madh shkon edhe për mjekët që vullnetarisht po na ndihmojnë, kurrë pa ndalë”, ka thënë këngëtari Berisha.
Tutje, ai e bëri të ditur qartë se edhe sikur ta lusin nuk do të largohej nga karantina deri sa të vijë koha e duhur, duke mos dashur të rrezikojë asnjë familjar apo dikë tjetër, si dhe iu dha disa këshilla fansave për preventim të infektimit nga virusi COVID-19.
“Kështu që bëhuni të fortë, rrini nëpër shtëpi, përdorni vitaminë C sa të mundemi edhe mos dilni shumë se besoj që ia dalim. Edhe me më lut nuk dal prej këtu se nuk dua të rrezikoj fëmijën tim, prindërit e mi edhe askënd prej juve deri sa të merren vesh analizat, ju dua shumë. Qao”, ka theksuar tutje këngëtari përgjatë videos.
Roberti përndryshe arriti në Prishtinë mëngjesin e së enjtes nga Stambolli, teksa të gjithë udhëtarët që aterojnë në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, karantinohen për 14 ditë në konviktet e studentëve në kryeqytet, sipas vendimit të institucioneve shtetërore.
Përndryshe numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë të shtunën është raportuar të ketë mbërritur shifrën e 24 personave.