Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica, mund të mbetet pjesë e Werder Bremenit deri në verën e vitit të ardhshëm.
Gazeta gjermane “Bild”, ka raportuar të mërkurën se Bayer Leverkuseni është ftohur nga transferimi i Rashicës në janar të vitit të ardhshëm.
Rashica ishte në planet e Leverkusenit gjatë verës së këtij viti, por transferimi i tij dështoi në ditën e fundit.
Futbollisti nga Vushtrria është larg formës që kishte sezonin e shkuar. Nuk ka shënuar në asnjë prej katër ndeshjeve të këtij edicioni.
Ndërkohë, Werder Bremeni është i interesuar që gjatë dimrit ta shesë Rashicën për të përfituar financiarisht.
Futbollisti 24-vjeçar me Werderin ka kontratë deri në qershor të vitit 2022. Ai pjesë e klubit gjerman është që nga janari i vitit 2018. Te Werderi u transferua nga Vitesse e Holandës, derisa karrierë ka bërë edhe te Vushtrria.