Shpesh thuhet se mëngjesi është shujta më e rëndësishme e ditës. Por, kur bëhet fjalë për humbje peshe, shumë njerëz e shmangin këtë shujtë për të nisur procesin e rënies në peshë.
Megjithatë, dietologët nuk janë dakord me këtë. Ata kanë theksuar se zakoni më i dëmshëm për humbjen e peshës është pikërisht shmangia e mëngjesit, ka shkruar Eating Well.
“Kur njerëzit e anashkalojnë mëngjesin, ata priren të bëjnë zgjedhje të dobëta ushqimore gjatë ditës, duke konsumuar porcione më të mëdha dhe ushqime me shumë sheqer”, ka thënë Maj Kelly Kaim, dietologe në Programin e Atletëve të Klasit Botëror të Ushtrisë në SHBA.
Shmangia e mëngjesit pengon humbjen e peshës sepse njerëzit mund të konsumojnë më shumë kalori në shujtën tjetër
Dikush mund të mos mendojë për drekën ose darkën kur vendos të shmangë mëngjesin, por kjo mund ta bëjë dikë të konsumojë më shumë kalori në vaktet e mëvonshme.
“A e keni gjetur ndonjëherë veten duke kërkuar ushqime në mbrëmje ose pas darke? Në nëntë nga dhjetë raste, kjo ndodh sepse nuk keni ngrënë mjaftueshëm në mëngjes”, ka thënë dietologia Lainey Younkin.
Një studim ka treguar se të rriturit që shmangin mëngjesin konsumojnë më shumë kalori gjatë vakteve të mëvonshme dhe kanë dietë me cilësi më të dobët.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se studimi ka analizuar vetëm dy ditë regjistrime dietike, gjë që nuk përfaqëson zakonet afatgjata ushqimore. Studimet e mëtejshme janë të nevojshme.
Prirja për të ngrënë më shumë gjatë natës
Shmangia e mëngjesit mund të nxisë ngrënien e tepërt, veçanërisht në mbrëmje, kur njerëzit janë më pak aktivë.
“Kur konsumoni shujtë të balancuar për mëngjes, ndiheni të ngopur dhe me energji për kohë më të gjatë, duke zvogëluar dëshirat për të ngrënë ushqim gjatë natës”, thotë Younkin.
Mund të krijohet luhatje e nivelit të sheqerit në gjak
Mëngjesi ndihmon në stabilizimin e sheqerit në gjak pas agjërimit të natës.
“Shmangia e mëngjesit ose mosngrënia e mjaftueshme në mëngjes prish ekuilibrin e sheqerit në gjak”, ka thënë Younkin.
Një studim i vogël te burrat e moshës 19 deri 24 vjeç ka treguar se shmangia e mëngjesit ka shkaktuar luhatje të mëdha të sheqerit në gjak dhe nivele të larta insuline pas drekës.
Strategji të tjera për humbjen e peshës
Përveç konsumimit të një mëngjesi të balancuar, këto strategji mund ta ndihmojnë dikë të humbë peshë pa e shmangur asnjë vakt:
Planifikimi paraprak: Duhet dedikuar disa minuta në mbrëmje për të planifikuar se çfarë do të hani të nesërmen.
“Kjo është një formë e premtimit ndaj vetes dhe një mënyrë për të vendosur qëllime”, ka thënë dietoogia Christy Brissette.
Shtimi i më shumë proteinave: Proteinat ndihmojnë ndjenjen e ngopjes për më gjatë dhe ruajnë masën muskulore. Younkin rekomandon të synonjë 20-30 gramë proteina në mëngjes dhe 5-10 gramë fibra, së bashku me yndyra të shëndetshme si avokado.
Perimet nuk përmbajnë shumë kalori, por janë të pasura me fibra, ujë, vitamina dhe minerale. “Plotësoni gjysmën e pjatës me perime për të qëndruar të ngopur dhe në deficit kalorik”, ka sugjeruar Younkin.
Fleksibiliteti: “Nuk ka një qasje të vetme për të gjithë që të jetë e suksesshme dhe afatgjatë”, ka thënë dietologia Amy S. Margulies. Për humbje peshe të qëndrueshme, është e rëndësishme të krijohet mënyrë e qëndrueshme e jetesës dhe jo vetëm një “dietë” e përkohshme.